Publikohet lista me nënshkrimet e deputetëve!


Kjo është lista me 61 nënshkrimet e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ASH-AAA, Besës dhe Levicës për rrëzimin e Qeverisë.

I pari që ka nënshkruar është Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentarë të VMRO-DPMNE-së. Lista vazhdon deri në numrin e 45, kur edhe fillojnë të nënshkruhen deputetët shqiptarë. I pari që ka nënshkruar është Afrim Gashi, më pas Ziadin Sela, e më pas është edhe nënshkrimi i Skender Rexhepi- Zejdi.Pas tij vijojnë dy deputetët e “Së Majtës”, Borisllav Kërmov dhe Dimitar Apasiev, ndërsa në fund janë deputetët e Lëvizjes Besa.Deputeti Rexhepi mbrëmë në Click Plus, thotë se është prerë në besë. Thotë se kanë pritur që pas tyre të nënshkruajnë deputet të PLD-së dhe Besës dhe të kompletohet lista.
“F.A: A ju kanë pre në besë? Mua po! Bindja ime është po! Po kush ju ka pre z.Rexhepi? Kryetari i Aleancës me ndryshimin e listës. Ajo është prerje në Besë. Nuk e di si quhet ndryshe”, tha Skender Rexhepi- Zejdi, deputet i Alternativës.

Kreu i ASh-së, Ziadin Sela, mbetet në qëndrimin se nuk ka mashtruar askënd, e aq më pak një deputet.
“Njeriu kur ka ndonjë hall mundohet të gjej arsyetime të pabaza dhe gënjeshtra realisht. Askush nuk është fëmijë, secili e di se lista që është nënshkruar, është nënshkruar për ta rrëzuar Qeverinë”, theksoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Mirëpo, Rexhepi pohon se jo me çdo kusht duhet të rrëzohet qeveria aktuale pa e ditur se cilës parti çka i takon nesër. Vlerëson se si parti nuk duhet të futen në një lojë për rrëzimin e Qeverisë, derisa nuk dihet pazari.“Pa një marrëveshje, unë personalisht, këtë e flas edhe në kuadër të kryesisë dhe rri mbrapa asaj, nëse vendosin organet partiake ndryshe, pa një marrëveshje për ndarje të resorëve, marrjes së përgjegjësisë në Qeverinë e ardhshme, unë nuk do të kisha votuar rrëzimin e Qeverisë”, tha Skender Rexhepi- Zejdi, deputet i Alternativës. Alternativa nuk është për zgjedhje të parakohshme, por nuk e do as Levicën si bashkëpunëtore në rrëzimin e Qeverisë. Atëherë a ka gjasa që të bëhet pjesë e qeverisjes me BDI-në dhe LSDM? “Në momentin që nuk shkon Qeveria drejt rrëzimit, atëherë e shohim edhe opsionin tjetër që ne të japim mundësinë që të ndryshojmë në vendbanimet shqiptare duke qenë pjesë e qeverisjes, nëse jepet opsion i tillë”, pohoi Skender Rexhepi- Zejdi, deputet i Alternativës.

Megjithatë, deputeti Zejdi, deklaroi se janë nënshkruar edhe 4 lista të tjera. Në njërën prej tyre është autorizuar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që në momentin që Zaev dorëzon dorëheqjen, ai me automatizëm me atë listë t’i drejtohet kryetarit të shtetit që të marrë mandatin.