Publikohen shifrat ditore të infektuarve me COVID-19 në Kosovë

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë vdekur edhe 11 persona si pasojë e virusit Covid-19. Gjatë kësaj kohe janë raportuar edhe 539 raste të reja të infektuara. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.219 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 539 raste pozitive”, është thënë nga IKSHPK.

Numri total i rasteve pozitive është 39.596 raste nga 143.988 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.016 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, sipas IKSHPK-së janë shëruar edhe 574 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 25.001 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.579.