Publikohen përgjime të reja, si u mbyll Televizioni A1 (VIDEO)

Në Youtube, në kanalin Fenix A1, mëngjesin e sotëm janë publikuar dy përgjime të reja, në të cilat dëgjohen biseda telefonike ku zbulohet prapavija e mbylljes së TV A1, një nga televizionet e njohura në Maqedoninë e Veriut, që u mbyll gjatë regjimit të Gruevskit.

Në audio-incizimin e parë dëgjohet ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish ministrja e atëhershme e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ndërsa në audio-incizimin e dytë është biseda në mes Dragan Pavlloviq- Llatasdhe ish drejtorit të atëhershëm të Drejtorisë për të Ardhurat Publike Goran Trajkovski. Televizioni A1 u mbyll më 25 nëntor të vitit 2010, pas një ndërhyrje të forcave policore dhe inspektorateve në këtë televizion, që ishte më i shikuari në vend.

“Televizioni A1 u rrethua nga forcat policore, veturat dhe xhipat e policisë të cilët e kanë bllokuar televizionin. Të gjithë gazetarët dhe inçizuesit e Televizionit A1 nuk mundin të punojnë dhe iu ndalua lëvizja e lirë. Përfaqësuesit e policisë ende janë para derës së Televizionit A1. Qëndroni me ne sonte…”, ishte njoftimi i TV A1 në natën e 25 nëntorit të vitit 2010. Kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski, i ka ftuar të gjithë qytetarët e Maqedonisë, që “informatat që vijnë nga ky televizion t’i marrin me rezervë serioze”.

Ai ishte fillimi i golgotës e cila ka rezultuar me burgosjen e pronarit të televizionit, Velija Ramkovski, disa anëtarëve të familjes së tij, përfshirë edhe vajzën e tij Emel Ramkovska, por edhe disa persona të cilët kanë udhëhequr me ndërmarrjen. Përveç tyre, policia i arrestoi edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, ndërkaq shtatë muaj më vonë u mbyll edhe televizion, për të cilin Gruevski thoshte se nuk ka qenë qëllimi që të sulmohet. Sot nga A1 kanë ngelur vetëm kujtimet dhe shumë inçizime “për” dhe “kundër” A1 në Youtube, të cilat dëshmojnë për fuqinë e saj.