PTHP me detaje për aksidentin ku humbi një person në “Novo Lisiçe”

Djaloshi 21-vjeçar, i cili me automjetin e tij “Reno” e ka goditur një automjet tjetër dhe si pasojë e ka lënë të vdekur shoferin, ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe ka kaluar në dritë të kuqe të semaforit. Këto janë disa prej detajeve që i kumtoi Prokuroria Themelore Publike e Shkupit për aksidentin në Qendrën Tregtare “Lisa” në “Novo Lisiçe” që ka ndodhur në mbrëmjen e të martës.

Pas mbledhjes së informatave fillestare, Prokuroria e Shkupit ka dhënë urdhër për hetim kundër djaloshit për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”.
Djaloshi, duke lëvizur nëpër bulevardin “Vidoe Smilevski-Bato”, sipas PTHP-së, nuk i ka respektuar rregullat: ka vozitur me më shumë se 50 kilometra në orë, e cila është shpejtësia maksimale e lejuar në vendbanime dhe ka qenë nën ndikim të alkoolit me sasi prej 0,57 promil alkool në gjak.

“Në udhëkryqin që çon drejt Qendrës Tregtare “Lisa”, ai ka hyrë derisa drita e semaforit ka qenë e ndezur në të kuqe. Me pjesën e përparme të automjetit, automjeti ka goditur në pjesën anësore të majtë të automjetit “Folksvagen Polo” me targa të Shkupit, i cili ka lëvizur në rrugën shërbyese drejt bulevardit. Gjatë aksidentit, vozitësi i automjetit “Folksvagen” ka marrë lëndime të rënda trupore dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, a vajza e tij 15-vjeçare, e cila ka qenë bashkudhëtarë në automjet, ka marrë lëndime të rënda trupore”, thonë nga PTHP.

Nga Prokuroria thonë se kërkojnë nga Gjykata Penale e Shkupit t’i caktohet paraburgim djaloshit për shkak të rrezikut nga arratisja, mundësisë të ndikojë te dëshmitarët ose ta përsërisë veprën.
Siç është njoftuar paraprakisht, i ndjeri është banor i Stajkovcit në moshë 48-vjeçare.