Psikotraumatologia Taçi: Jemi përballë një traume kolektive, por mund të ofrojmë suport psikologjik të specializuar!

Nga Lorena Fjolla!
“Gjendja e krijuar na bën të kuptojmë që jemi përballë një traume kolektive”, kështu shprehet psikotraumatologia Besarta Taçi, në një intervistë për Dritare.net lidhur me pasojat psikologjike që ka shkaktuar pandemia e Covid-19. Për këtë arsye, ajo shprehet se është një nevojë urgjente që të ofrohet një suport i veçantë për pacientët e me koronavirus, duke e vënë theksin tek ato që janë të hospitalizuar, por edhe për mjekët dhe infermierët. Pas një periudhe kohe, shprehet Taçi, do të kemi një numër të lartë personash që do të shfaqin probleme psikologjike.

“Trauma kolektive, shprehet në forma specifike nga individi në individ edhe në varësi të situatës së mëparshme ekonomike, familjare, shëndetësore por edhe përsa i përket mënyrës që çdo qenie njerëzore e ka për t’u përballur me një stres. Duhet theksuar që truri jonë është i programuar për t’u përballur me stresin. Por nëse ne nuk ndërhyjmë në këto momente kaq vulnerabël, do të thotë që në një kohë rekord do të kemi shifra marramendëse (që po i shikojmë edhe tani) përsa i përket ankthit, panikut dhe fobisë sociale. Mbase edhe pas një viti do të shohim një numër të lartë personash që do të kërkojnë ndihmë dhe do të thotë që kur ka ndodhur situata e pandemisë unë kam filluar të zhvilloj këtë lloj simptome. Për të ndërhyrë në këtë moment kaq delikat na duhen instrumente dhe protokolle ndërhyrëse specifike. Që i përkasin një qasjeje dhe specializimi që ka të bëjë me psiko-traumatologjinë.

Psikotraumatologia Taçi: Jemi përballë një traume
Por si mund të ndërhyjmë?
“Ka shumë mënyra. Sapo kemi ndjekur linjat guidë të OBSH-së, përsa i përket alarmit që vetë organizata lëshoi më 10 tetor, që kishte të bënte me depresionin dhe vetëvrasjet. Ne nuk mund ta dimë se kush mund të jetë një person që mundet të kryejë vetëvrasje dhe kush jo. Për këtë duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Prandaj duhet t’i ofrojmë suport psikologjik të gjithë qytetarëve. T’i japim një numër të gjelbër, një shërbim shtetëror falas për çdo kënd që ka nevojë edhe për një këshillë.

Stresi është aleat i Covid/Këshilla nga psikologia si të ruani mendjen!
Një rast specifik janë individët që janë infektuar me Covid-19 dhe ata që janë të hospitalizuar. Personat që janë të ndarë nga familja dhe po përjetojnë të gjitha fazat e sëmundjes në spitale, janë të parët ku specialistët e shëndetit mendor duhet të fokusohen.

Psikotraumatologia Taçi: Jemi përballë një traume
Ajo që ne kemi ofruar si Shoqatë e Psiko-Traumatologëve, ka qenë suporti online gjatë gjithë periudhës së karantinës, por u kemi dhënë mundësinë e dhe stafit mjekësor që në këtë periudhë punon në një gjendje paniku. Mos harrojmë që mjeku është i përgatitur të shpëtojë jetë, por përballë pandemisë numrat e vdekshmërisë janë më të larta. Gjendja psikologjike e mjekëve dhe infermierëve pas orëve të gjata të punës dhe qasjes që ata kanë ndaj pacientëve, bëjnë që me kalimin e kohës të rëndohet. Ajo që sugjerojmë është një ndërhyrje për mjekët dhe infermierët dhe një ndërhyrje specifike për pacientët e hospitalizuar.

Këshilla nga psikologia Besarta Taçi: Si të menaxhojmë stresin e vjeshtës dhe pandemisë!
Ajo që ne quajmë ndërhyrje specifike, janë protokolle EMDR (Eye Movement Desensitization and Reprocessing) të standardizuara që ndërtohen në bazë të situatës problematike që na prezantohet. Fillimisht punojmë për përjetimin traumatik, dikush që ka përjetuar në mënyrë dramatike faktin që është infektuar me Covid-19, dikush tjetër përjetimin që ka infektuar apo humbur familjarët. Mënyra se si ne procedojmë, në mënyrë që këto përjetime traumatike, të rikuperohen dalëngadalë, është të përforcojmë të gjitha burimet që janë të nevojshme për të kuptuar të gjitha reagimet e stresit apo fajit, të gjitha strategjitë që ndërtohen përsa i përket përballjes në një fazë të dytë apo fazë të tretë. Pra punojmë tek burimet për të përforcuar përballjen përsa i përket sëmundjes.

Psikotraumatologia Taçi: Jemi përballë një traume
Në këtë aspekt punohet në ambientet e spitalit, ose kur shifra është shumë e madhe i mundësohet një komunikim edhe përmes telefonit. Bëjmë shumë kujdes dhe kjo bëhet në bashkëpunim me mjekët, të cilët udhëzohen të shikojnë disa shenja që janë specifikike qe ne i quajmë zile alarmi. Shenjat që një person mundet të shfaqë, që mund të çojnë drejt vetëvrasjesh. Përshembull fakti që një person shprehet se nuk mundet më, që dëshiron të vdesë, që thotë është i pashpresë, që nuk ka arsye për të jetuar, fakti që e ndjen veten sikush është një peshë për të tjerët, që nuk fle dot gjumë, ose dëshiron të jetë gjatë gjithë kohës në gjumë dhe kërkon ilaçe për këtë, ose mënyra e të shprehurit me shumë inat duke kërkuar një fajtor për këtë rast.

Psikotraumatologia Taçi: Jemi përballë një traume
Të gjitha këto janë indikatorë mjaft të rëndësishëm, që një profesionist i shëndetit mendor, i konsideron si një alarm që kërkojnë një ndërhyrje specifike, përmes protokolleve të lartpërmendura. Këto protokolle janë të standartizuara dhe ne si shoqatë e kemi ofruar këtë mundësi për t’i ardhur në ndihmë atyre që kanë rezultuar pozitivë ndaj kovid, dhe kanë qenë të izoluar. Dua të theksoj që ne si shoqatë këtë shërbim e kemi dhënë falas, dhe mendoj që edhe shteti ynë e ka këtë fuqi. Madje unë mendoj që të bëjnë një kërkesë për psikologëve apo psikotraumatologëve në terren për nëj ndërhyrje vullnetare, qoftë edhe online. Jam e sigurtë që shumë specialistë të shëndetit mendor do të përgjigjen. Ka ardhur momenti që të suportohen jo vetëm pacientët por edhe mjekët dhe infermierët. Duhet të punojmë të gjithë bashkë, sepse po luftojmë ndaj një armiku që nuk është më kaq i padukshëm, që është shumë i prekshëm dhe rreth e qark nesh.