Pse Vuçiq po ndërton një aeroport rreth dhjetë kilometra larg kufirit me Kroacinë?


Sipas njoftimeve nga Republika Srpska, një aeroport “do të mbijë” afër Trebinjes në Bosnje dhe Hercegovinë. Dhe siç shkruajnë mediat kroate, historia rreth këtij aeroporti është më shumë se 15 vjeçe, dhe tani është bërë përsëri aktuale.

Bëhet fjalë për Trebinjën që është vetëm njëzet kilometra nga Dubrovniku në rrugë ajrore dhe ky aeroport do të ishte dhjetë kilometra nga kufiri shtetëror. Me fjalë të tjera, do të ishte më afër Dubrovnikut sesa Aeroporti i Dubrovnikut, shkruan Index.hr, përcjell Telegrafi.

Aeroporti në fund të vitit të ardhshëm?
Sipas mediumit kroat, Këshilli i Ministrave të BeH miratoi së fundmi një Vendim për përcaktimin e një pjese të territorit doganor të Bosnjë-Hercegovinës si “Zonë e Lirë e Trebinjës”. Ky ishte parakusht për ndërtimin e aeroportit, investitor i të cilit është Republika e Serbisë. Sipas njoftimeve të mëparshme, Serbia do të investonte rreth 50 milionë euro në projektin e aeroportit të Trebinjës, i cili do të vendoset në fshatin Talezë.

Aeroporti do të mbulonte pak më shumë se 300 hektarë, dhe aeroporti duhet të fillojë të funksionojë në fund të vitit të ardhshëm. Më herët ishte paralajmëruar se ndërtimi i aeroportit duhet të fillojë këtë vit, më saktë në pranverë. Serbia do të kishte koncesion për aeroportin dhe do ta menaxhonte për tridhjetë vitet e ardhshme.
Gjithashtu u njoftua se pista në aeroport duhet të jetë e gjatë tre kilometra.

Pavarësisht nëse një ide e tillë është fare realiste, ka disa çështje që nuk janë sqaruar.
Së pari në kontekstin e lu*ftës midis Rusisë dhe Ukrainës, është interesant momenti gjeopolitik në të cilin duhet të fillojë ndërtimi i aeroportit.

Lu*fta është ndezur në Evropën Lindore dhe thuhet pa mëdyshje se për vendin që e provokoi atë, Rusinë, Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika Srpska, është një zonë me interes.
Madje, në disa media u përmend se ky aeroport mund të jetë një bazë ajrore ushtarake e Rusisë. Dhe aty është Serbia, çdo investim i së cilës në këtë fushë monitorohet nga afër.

Sidoqoftë, analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Branimir Vidmaroviq, ka komentuar për Index.hr njoftimin për ndërtimin e këtij aeroporti, duke thënë se nuk ka lidhje me Rusinë, por bëhet fjalë për bashkëpunim ndërmjet Republikës Srpska dhe Serbisë.

“Është një investim serb… Llogaritja është se ky projekt infrastrukturor do të ringjallë këtë pjesë të Republikës Srpska. Llogaritja është se do të tërheqë investime dhe rigjallëroj rajonin”, vlerëson Vidmaroviq.
Ai beson madje se nuk duhet të ketë frikë fare nga Rusia dhe ndonjë bazë ruse, sepse Kroacia është pjesë e aleancës së NATO-s, dhe ka një bazë të NATO-s në Kosovë.

“… Vuçiq do të dëgjojë Perëndimin më shumë se Rusinë në krizë. Serbia është më e varur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara sesa nga Rusia. E përsëris, aeroporti në Trebinje nuk mund të bëhet bazë ushtarake ruse – sidomos jo tani”, tha ai.

“Në kohë më të mira për Rusinë, dhjetë vjet më parë, frika do të ishte e vlefshme. Por tani në këto rrethana, kur BeH është nën llupë, kur ka një lu*ftë në Ukrainë, një gjë e tillë nuk mund të bëhet”, ka thënë ndër tjerash Vidmaroviq. /Telegrafi/