Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës nuk pranoi të merrte donacion që erdhi në këtë klinikë tre ditë më parë, sepse ishte nga një kompani ndërkombëtare që ka në pronësi kazino dhe organizon lojëra të fatit edhe në vendin tonë. Një automjet i ngarkuar me 10 shtretër të posaçëm arriti në klinikë, shtretërit u shkarkuan nga automjeti por kur arriti drejtori i Spitalit Klinik Dr. Florin Besimi dhe kur pa se ishte donacion nga kazino, nuk pranoi të merrte dërgesën.
Pas reagimit të drejtorit Besimi, shtretërit u kthyen përsëri në automjet. Jozyrtarisht, mësohet se shtretërit e këtij donacioni tashmë janë duke funksionuar në një institucion tjetër shëndetësor publik.
“Kam marrë njoftim nga Ministria e Shëndetësisë se duhet të pranoj donacion shtretërit por emri i donatorit nuk u tregua. Kur dërgesa mbërriti dhe pashë që një kompani bastesh sportive u shfaq si donator, me vendosmëri refuzova të pranoja donacionin. Ju thash se nuk do të pranoj donacion nga kazinot. Deri më tani kam pasur dy oferta për donacion në shumë prej 5,000 dhe 10,000 euro nga një kompani bastesh sportive dhe kazino, por gjithashtu refuzova këto donacione. A nuk duhet që shteti dhe Ministria e Shëndetësisë, si spital, të na sigurojnë materialet dhe pajisjet e nevojshme, a duhet të shkojmë dhe të kërkojmë ndihmë nga kazinot apo bastoret sportive? Një gjë e tillë nuk më vjen në mendje. Për më tepër, ky “donacion” përbëhet nga 10 shtretër për të cilët thuhet se kushtojnë rreth 2.5 milion denarë ose rreth 40,000 euro. Atëherë, çfarë shtretër ka kaq shumë që kushtojnë? Kështu që kur pashë që kazino po reklamohej në mes të spitalit nga disa prej vajzave që kishin ardhur me ta, unë u acarova edhe më shumë. Derisa jam drejtor i spitalit, nuk marr donacione nga kazinot dhe bastet sportive. Është turp që qytetarët e Tetovës të vihen në gjendje të furnizohen me disa pajisje nga kompani që merren me lojërat e fatit”, thekson kështu drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Dr. Florin Besimi.
Lëvizja Anti-Bixhoz, e cila lufton për një kohë të gjatë në Ligjin për Lojërat e Fatit për të miratuar një dispozitë për zhvendosjen e kazinove dhe basteve sportive, të paktën 3 km larg nga shkollat, kolegjet dhe institucionet e tjera publike, gjithashtu reagoi ashpër ndaj këtij donacioni.
“Ne e mirëpresim plotësisht vendimin e drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës që të refuzojë të pranojë një donacion nga një donator i tillë dhe besojmë se ai ka vepruar në mënyrën e duhur”, tha Xhemal Abdiu i Lëvizjes Anti-Bixhoz duke shtuar se: “Do të kërkojmë nga drejtorët e tjerë të spitaleve në vend që të ndjekin këtë shembull të ndritshëm të drejtorit të Tetovës, sepse kemi informacione se donacione të tilla janë bërë edhe në spitalet tjera në vend”.
Lexo gjithashtu:
_________________________
Drejtori i Klinikës së Tetovës, Dr. Florin Besimi refuzon donacionin e kazinove dhe bastoreve
Donacioni i ditës së djeshme deri tek Klinika e qytetit të Tetovës nga ana e kazinoveve dhe bastoreve në këtë qytet është refuzuar nga ana e drejtorisë së kësaj klinike në krye me Dr. Florin Besimin.Ky vendim i drejtorit Besimi ka hasur në një mirëkuptim të jashtëzakonshëm tek popullata jo vetëm në Tetovë por edhe më gjerë pasiqë të njejtët kohë më parë edhe kanë protestuar me të madhe pikërisht për largimin dhe mbylljen e bastoreve dhe kazioneve.
Ndërkohë që pikërisht drejtori i Klinikës së Tetovës Dr. Florin Besimi po respekton në masë të madhe dhe mbështet qytetarët në këtë drejtim, gjë që ka bërë edhe të refuzojë donacionin nga këto kazino dhe bastore të cilat ishin destinuar për Klinikën e Tetovës në kuadër të ndihmës për përballje me Pandeminë e Covid 19.Vendimin e drejtorit Besimi e kanë përshëndetur edhe personalitete të ndryshme të qytetit përfshirë këtu edhe hoxhën Nuhi Ganija i cili ka përshëndetur vendimin e drejtorit Besimi.
“Unë Nuhi Ganija shfrytëezoj nga rasti të përshendes vendimin e marrë nga ana e drejtorisë së Spitalit Klinik në Tetovë, me këtë vendim ata dëshmuan se janë të rreshtuar në anën e atyre që mundohen të mbrojnë mirëqenien e qytetarëve të vendit. Këtë rrugë tepër fisnike dhe burrërore duhet ndjekur edhe drejtoritë e spitaleve tjera në Maqedoninë e Veriut. Nuk mund të merren donacione nga ata që shoqërinë tonë e bëjnë për spital. Lufta kundër kumarit vazhdon deri në fitore”, është shprehur kështu hoxha i nderuar Nuhi Ganija.