Pse u harruan nxënësit e Çashkës? Ata ende mësimin nuk mund ta ndjekin në gjuhën shqipe

Nxënësit shqiptar të Çashkës së Velesit vazhdojnë që procesin arsimor ta ndjekin në gjuhën maqedonase, në mungesë të një paralele shqipe.
Kërkesat e prindërve dhe nxënësve për hapjen e një paralele shqipe para një viti u përballen me pro*testa nga persona të cilët ishin kundër kësaj ideje.

Dhe si duket ajo pro*testë ndikoi, pasi asgjë nuk u ndërmor që këta nxënës të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.
Kryetari i komunës së Çashkës thotë se është pro që nxënësit mësimin ta ndjekin në gjuhën e tyre amtare dhe thotë se për këtë ka biseduar edhe me ministren e Arsimit Milla Carovska.

“Ne si komunë kishim qëndrim që fëmijët duhet të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, dhe nuk jemi tërhequr nga kjo. Ky problem është nga viti 2006 ne si komunë kemi kërkuar dhe kemi pasur takim edhe me Kryeministrin edhe me ministrin e atëhershëm të arsimit, por edhe me ministren e tashme Milla Carovska. Ne erdhëm në përfundim që ne si komunë bashkë me ministrin duhet të mundohemi që ata fëmijë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare”, deklaroi Goran Stojanovski, kryetar i Komunës së Çashkës.

Ndryshe nga kryetari i komunës, ministrja e Arsimit, Milla Carovska, tha se kjo pyetje duhet të shtrohet në nivel lokal.
“Për këto pyetje duhet në nivel lokal të diskutohet dhe ai është institucioni ku duhet të merrni përgjigje dhe jo nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Dhe nuk e di për cilën shkollë bëhet fjalë nuk e precizuat”, u shpreh Milla Carovska.

Për t’ia precizuar pyetjen ministres i dërguam edhe pyetje me shkrim, por nuk morëm përgjigje. Këta nxënës shqiptarë që mësojnë në shkollën “Todor Janev” në Çashkë janë më shumë nga Banjica.
Paralelja shqipe më e afërt për ata është në Jabollçishtë, por deri atje janë 33.6 km rrugë. Hapja e paraleles shqipe në Çashkë do të zgjidhte problemin e shumë fshatrave shqiptarë që janë përreth, ku shkollën do ta kishin më afër fëmijët dhe do të arsimoheshin në gjuhën amtare.