PSE S’NA SHKON MATEMATIKA? INTERESIMI I ULËT PËR SHKENCAT EKZAKTE


https://www.facebook.com/tv21hd/videos/321988355213587/

Interesimi i të rinjve për të vazhduar studimet në shkencat sociale është më i madh se sa për drejtimet matematiko-natyrore. Këtë e tregojnë edhe statistikat për studimet e regjistruara në vitin akademik 2017/2018. Numri i studentëve të regjistruar në ekonomi, filologji, pedagogji, juridik dhe medicinë është dukshëm më i lartë se sa numri i atyre të regjistruar në fakultetin matematik-natyror, arkitekturë, makineri apo teknologji.

 

“Nuk më shkon shkenca, as matematika, prandaj. Mendoj se administrata publike është drejtim më i mirë”, tha një studentë.

“Sepse nuk më shkojnë shumë…” tha një studentë.

“U regjistrova në fakultetin e shkencave sociale, drejtimin sport dhe shkencat e sportit”,  tha një studentë.

 

Tregues i ikjes së të rinjve nga matematika është edhe provimi i fundit i maturës. Nga gjithsej 16 317 nxënës, vetëm 1926 kanë preferuar matematikën si lëndë të dytë për provimin ekstern. Pjesa tjetër, 14 391, kanë zgjedhur gjuhët e huaja. Sipas profesorit universitar, Bekim Fetaji, studimet në shkencat ekzakte, përveç se janë më të vështira, nuk janë as premtuese për punësim.

 

“Problemi kryekëput qëndron në punësimin. Kjo shkakton që më vonë, do me thënë gjeneratat e reja duke i parë ato të vjetrat, ato të cilët janë punësuar në drejtimet teknike, kanë të ardhura më të ulëta, është më rënd punësimi dhe puna është pak më voluminoze, dhe prej këtu vjen edhe inspirimi që të mos vazhdojnë në drejtimet teknike dhe më pak i përkushtohen matematikës, fizikës, kimisë e të tjera”, tha Bekim Fetaji zv/ rektor për shkencë në UNT.

 

Profesori universitar i makinerisë, Atanas Koçov, thotw se duhet përcaktim më i qartë se për çfarë programesh studimore ka nevojë Maqedonia dhe në të njëjtat të fokusohet më shumë.

 

“Cilitdo t’i premtoni, të keni qëllim të qartë që për 5, ose 10 vjet se si do të jetë zhvillimi i degëve industriale të shoqërisë, mendoj se kjo është udhëzim për të rinjtë e Maqedonisë që të dinë se nga të drejtohen. Kuptohet me ta duhet të punohet në arsimin fillor dhe të mesëm, që t’u jepet një ide për perspektivat dhe mundësitë që kanë pas përfundimit të universitetit”, tha Atanas Koçov profesor universitar.

 

Koçov shtoi se tashmë edhe vërehet mungesa e kuadrit në shkencat tekniko-teknologjike, për të cilat më shumë interesohen investitorët e huaj. Ndërkaq profesori universitar Fetaji na tregoi se ka filluar të shfaqet një trend i ri. Të rinjtë po zgjedhin të studiojnë nëpër drejtime që janë deficitare në shtete e Evropës perëndimore, që më pas të mund të gjejnë punë atje. Për të mos ndodhur një gjë e këtillë, sipas Fetajit, duhen që në vend të vijnë më shumë investitorë të huaj dhe të hapin vende të reja të punës.