Pse shkolla private Maarif nuk lejohet të fillojë mësimi me prezencë fizike?!

Shkolla private Maarif-Internation Schools- Macedonia me lokacion në Tetovë, nuk ka marrë miratimin për fillimin e vitit të ri shkollor me prezencë fizike edhe pse të gjitha kriteret i kanë plotësuar për t’i pritur nxënësit në bankat shkollore!

Në pyetjen tonë se pse të njëjtës shkollë nuk i është dhënë leja për fillimin e mësimin me prezencë fizike, nga ministria e Arsimit dhe Shkencës u deklaruan se, shkolla Maarif ka një numër të madh të nxënësve dhe gjendet në ambient ku, situata epidemiologjike nuk e lejon atë!

Raporti i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Sanitar, në këqyrjen e objektit ka konstatuar se e njëjta shkollë i plotëson të gjithë elementet për të filluar vitin e ri shkollor duke mos adresuar asnjë të vetme ankesë, dokument ky që e posedon Pa Censur. Dëshmi kjo që bie ndesh me deklaratën e ministrisë!

Për kapacitetin e objektit dhe mundësitë e fillimit të mësimit me prani fizike e konfirmon edhe drejtori i shkollës Maarif ku thotë: “Shkolla jonë i ka plotësuar të gjitha protokollet deri në detajin më vogël, kampusi ynë posedon afër 12.000m2 vënd të mbyllur me 5 objekte të ndara dhe posedon kapacitetin e plotë të shërbimit për afër 900 nxënës. Këtë vit kemi vendosur që të punojmë me kapacitetin të përgjysmuar, respektivisht vetëm me 400 nxënës. Shkolla jonë edhe pse i ka përmbushur gjitha këto protokolle me përpikmërinë dhe kujdesin më të madh akoma mbetemi të habitur me vendimin  e qeverisë për mos dhënien e leje për mësimin me prezencë fizike” u shpreh Mustafa Dillioğllu, drejtor gjeneral i fondacionit Maarif në RMV!

Shtrohet dilema se a ka dy standarte kur vendoset për dhënien e lejes për startimin e shkollave me prezencë fizike! Ku tashmë të gjitha statistikat tregojnë per rezultatet e ulta të mësimit online!

“Klasa jonë është ndarë në dy grupe njëri grup ka 8 nxënës, klasat i kemi të mëdha janë të pastra dhe me të gjitha udhëzimet për mbrojtje nga Covid-19” thotë Donat Aliu nxënës i klasës së 8 në shkollën Maarif!

Vetëm katër shkolla të mesme kanë marrë dritë jeshile për të nisur mësimin me prezencë fizike nga 1 Tetori. Nga 66 kërkesa, Komisioni i posaçëm vendosi që dy shkolla për fëmijët me nevoja të posaçme, një private dhe një Komunale i plotësojnë kushtet në proporcion me hapësirën dhe numrin e nxënësve. “Komisioni vendosi edhe për kërkesat e Shkollave Fillore që kanë aplikuar në dy javët e shtatorit. Dritë jeshile për mësim me prani fizike nga klasa 4-9 morën 169 Shkolla, prej tyre 1 private, 6 për fëmijët me nevoja të veçanta, 15 shkolla qendrore dhe 147 periferike. 32 nuk plotësuan kushtet”. Komisioni i posaçëm qeveritar ka pranuar afër 500 aplikimet të shkollave të mesme dhe fillore.