Pse lufta siriane ka zgjatur 11 vjet?

Një kryengritje paqësore kundër presidentit të Sirisë, 10 vjet më parë, u shndërrua në një luftë civile në shkallë të gjerë. Sipas BBC, konflikti ka lënë gjysmë milioni njerëz të vdekur dhe qytete të tëra të shkatërruara.

Si filloi lufta në Siri?
Edhe para fillimit të konfliktit, shumë sirianë ankoheshin për papunësinë e lartë, korrupsionin dhe mungesën e lirisë politike nën udhëheqjen e presidentit Bashar al-Assad, i cili pasoi babain e tij, Hafez, pasi ai vdiq në vitin 2000.

Në mars të vitit 2011, demonstratat pro-demokratike shpërthyen në qytetin jugor të Deraas, të frymëzuara nga kryengritjet në vendet fqinje, kundër sundimtarëve represivë. Kur qeveria siriane nisi të shtypte lëvizjet kundër saj, atëherë protestat që kërkonin dorëheqjen e presidentit, shpërthyen në mbarë vendin. Trazirat u përhapën dhe goditja u intensifikua. Mbështetësit e opozitës morën armët, fillimisht për të mbrojtur veten dhe më vonë për të pastruar zonat e tyre nga forcat e sigurisë. Assad u zotua të shtypë atë që ai e quajti “terrorizëm i mbështetur nga jashtë”.

Dhuna u përshkallëzua me shpejtësi dhe vendi ra në luftë civile. U krijuan qindra grupe rebele dhe nuk kaloi shumë kohë që konflikti të bëhej më shumë se një betejë mes sirianëve kundër ose pro Asadit. Fuqitë e huaja filluan të reagonin, duke dërguar para, armatime dhe luftëtarë, dhe ndërsa kaosi përkeqësohej, organizatat xhihadiste ekstremiste, si grupi Shteti Islamik dhe Al-Kaeda, u përfshinë në konflikt. Ky shqetësim u thellua në mesin e komunitetit ndërkombëtar që i shihte ato si një kërcënim të madh.

Kurdët e Sirisë, të cilët duan të drejtën e vetëqeverisjes, por nuk kanë luftuar kundër forcave të Asadit, i kanë shtuar një dimension tjetër konfliktit.

Sa njerëz kanë vdekur?
Kombet e Bashkuara kanë verifikuar se të paktën 350 209 civilë dhe luftëtarë, janë vrarë midis marsit 2011 dhe marsit 2021, por gjasat janë që numri real të jetë shumë më i lartë. Sipas kryetares së OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, tha se 26 727 viktima ishin gra dhe 27 126 ishin fëmijë. Ndërsa, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut – një grup monitorues me bazë në Mbretërinë e Bashkuar – kishte dokumentuar vdekjen e 494 438 personave deri në qershor 2021. Sipas tyre 47 000 civilë besohej se kishin vdekur nga torturat në burgjet e drejtuara nga qeveria dhe se rreth 53 000 vdekje nuk ishin në gjendje t’i dokumentonin, për shkak të mungesës së informacionit.

Ndërsa grupe të tjera monitoruese, që mbështeten në informacionin e aktivistëve në të gjithë vendin, kanë dokumentuar 238 716 vdekje të lidhura me betejat, duke përfshirë 144 956 civilë, që nga shkurti i vitit 2022. Sipas tyre, 165 490 nga këto vdekje janë shkaktuar nga forcat e qeverisë siriane.

Cilët janë të përfshirë në konflikt?
Mbështetësit kryesorë të qeverisë kanë qenë Rusia dhe Irani, ndërsa Turqia, fuqitë perëndimore dhe disa shtete arabe të Gjirit, kanë mbështetur opozitën.

Rusia – e cila kishte baza ushtarake në Siri para luftës – nisi një fushatë ajrore në mbështetje të Asadit në vitin 2015, e cila ka qenë vendimtare për ta kthyer valën e luftës në favor të qeverisë. Ushtria ruse thotë se sulmet e saj synojnë vetëm “terroristët”, por aktivistët thonë se ato vrasin rregullisht rebelët kryesorë dhe civilët.

Irani besohet se ka dislokuar qindra trupa dhe ka shpenzuar miliarda dollarë për të ndihmuar Asadin. Mijëra militantë myslimanë shiitë të armatosur, të trajnuar dhe të financuar nga Irani – kryesisht nga lëvizja Hezbollah e Libanit, por edhe nga Iraku, Afganistani dhe Jemeni – kanë luftuar gjithashtu përkrah ushtrisë siriane.

SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca fillimisht ofruan mbështetje për ato që ata i konsideronin grupe rebele “të moderuara”. Një koalicion global i udhëhequr nga SHBA-ja, ka kryer gjithashtu sulme ajrore dhe ka vendosur forca speciale në Siri që nga viti 2014, për të ndihmuar një aleancë të milicive kurde dhe arabe të quajtur Forcat Demokratike Siriane (SDF), për të kapur territorin dikur të mbajtur nga militantët e ISIS në verilindje.

Turqia është një mbështetës i madh i opozitës, por fokusi i saj ka qenë në përdorimin e fraksioneve rebele për të kontrolluar milicinë kurde të “Njësisë së Mbrojtjes Popullore” që dominon Forcat Demokratike Siriane, duke e akuzuar atë se është një zgjatim i një grupi rebel kurd të ndaluar në Turqi. Trupat turke dhe rebelët aleatë, kanë ndërhyrë për të ndaluar një sulm të gjithanshëm nga forcat qeveritare në bastionin e fundit të opozitës, Idlib.

Arabia Saudite, e cila është e prirur të kundërshtojë ndikimin iranian, armatosi dhe financoi rebelët në fillim të luftës. Izraeli, ndërkohë, ka qenë aq i shqetësuar nga ajo që e quan “ngulitje ushtarake” e Iranit në Siri dhe dërgesat e armëve iraniane për Hezbollahun dhe milicitë e tjera shiite, saqë ka kryer sulme ajrore me frekuencë në rritje në një përpjekje për t’i penguar ato.

Si është prekur vendi?
Njëmbëdhjetë vjet luftë i kanë shkaktuar vuajtje të pamasa popullit sirian.

Më shumë se gjysma e popullsisë së Sirisë prej 22 milionësh të paraluftës, janë larguar nga shtëpitë e tyre. Rreth 6.9 milionë janë të zhvendosur brenda vendit, me më shumë se dy milionë që jetojnë në kampe. Rreth 6.8 milionë të tjerë janë refugjatë ose azilkërkues jashtë vendit. Libani fqinj, Jordania dhe Turqia, të cilat janë duke pritur 84% të tyre, kanë luftuar për të përballuar një nga eksodet më të mëdha të refugjatëve, dekadën e fundit.

Sipas OKB-së, që nga shkurti i vitit 2022, 14.6 milionë njerëz brenda Sirisë, kishin nevojë për një formë të ndihmës humanitare, nga ku 5 milionë janë në kushte ekstreme ose katastrofike. Më shumë se 12 milionë njerëz po luftojnë për të gjetur ushqim të mjaftueshëm çdo ditë – dhe gjysmë milioni fëmijë janë të kequshqyer.

Ndërsa dy vitet e fundit, kriza humanitare ka shkaktuar edhe një rënie ekonomike të paprecedentë, e shkaktuar nga sanksionet e rrepta të SHBA-së, kriza ekonomike libaneze dhe pandemia Covid-19. Monedha siriane humbi afër 80% të vlerës së saj në vitin 2021 dhe çmimet e ushqimeve bazë u rritën shumë. Shkalla e varfërisë ka arritur në 90%.

Siria ka qenë gjithashtu një nga vendet në Lindjen e Mesme të prekura më keq nga Covid-19, megjithëse numri i saktë i të infektuarve nuk dihet, pasi mungonin testimet dhe sistemi i kujdesit shëndetësor është totalisht i shkatërruar. Më shumë se 3100 vdekje të konfirmuara, janë raportuar që nga marsi 2022, ndërsa vetëm 7.4% e popullsisë është vaksinuar plotësisht.

Lagje të tëra dhe infrastruktura jetike në të gjithë vendin, mbeten gjithashtu të rrënuara. Analiza satelitore e OKB-së sugjeroi se më shumë se 35 000 struktura u dëmtuan ose u shkatërruan vetëm në qytetin e Aleppos. Pavarësisht statusit të tyre të mbrojtur, 599 sulme janë shënuar në të paktën 350 objekte të veçanta mjekësore, duke çuar në vdekjen e 930 vetave nga personeli mjekësor. Sulme të tilla kanë lënë vetëm gjysmën e spitaleve të vendit funksionale.

Pjesa më e madhe e trashëgimisë së pasur kulturore të Sirisë është shkatërruar gjithashtu. Të gjashta vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të vendit, janë dëmtuar ndjeshëm, ku militantët e ISIS kanë hedhur në erë qëllimisht pjesë të qytetit antik të Palmirës.

Kush e kontrollon vendin tani?
Qeveria ka rimarrë kontrollin e qyteteve më të mëdha të Sirisë, por pjesë të mëdha të vendit ende mbahen nga rebelët, xhihadistët dhe forcat e udhëhequra nga kurdët. “Kalaja” e fundit e mbetur e opozitës është në provincën veriperëndimore të Idlibit.

Rajoni dominohet nga një aleancë xhihadiste e quajtur Hayat Tahrir al-Sham, por është gjithashtu shtëpia e fraksioneve rebele kryesore. Rreth 2.8 milionë njerëz të zhvendosur, duke përfshirë një milion fëmijë, jetojnë atje, shumë prej tyre në kushte të rënda në kampe.

Në mars 2020, Rusia dhe Turqia ndërmjetësuan një armëpushim për të ndalur përpjekjen e qeverisë për të rimarrë Idlibin. Kjo çoi në një periudhë qetësie, por gjithsesi përleshjet, sulmet ajrore dhe bombardimet janë intensifikuar vitin e kaluar, veçanërisht në Idlibin jugor.

A do të përfundojë ndonjëherë lufta?
Nuk duket se do të ndodhë së shpejti, por të gjithë pranojnë se kërkohet një zgjidhje politike. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka bërë thirrje për zbatimin e Komunikatës së Gjenevës të vitit 2012, e cila parashikon një organ qeverisës të përkohshëm “të formuar në bazë të pëlqimit të ndërsjellë”. Mirëpo, pas nëntë raundesh të bisedimeve të ndërmjetësuara nga OKB-ja, presidenti Assad nuk ra dakord për negocimet me grupet politike të opozitës që këmbëngulin se ai duhet të tërhiqet.

Rusia, Irani dhe Turqia realizuan bisedime politike paralele në atë që njihet si procesi i Astanës në vitin 2017. Një vit më pas, u arrit një marrëveshje për të formuar një komitet prej 150 anëtarësh, që do të shkruanin një kushtetutë të re, duke çuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme, të mbikëqyrura nga OKB-ja. Raundi i fundit i bisedimeve u mbajt në tetor 2021, pas së cilës i dërguari i posaçëm i OKB-së, Geir Pedersen, tha se ishte një “zhgënjim i madh” që anëtarët e komitetit deri më tani nuk ishin në gjendje të gjenin një rrugë të përbashkët.

Ndërsa konflikti hyri në vitin e tij të 12-të, Pedersen pohoi se ” zgjidhja ushtarake tashmë është një iluzion” dhe se një zgjidhje politike “është krejtësisht e realizueshme nëse ekziston vullneti”.