Idesë së BDI-së për Kryeministër shqiptar i janë bashkuar edhe njerëz nga komunitetet jo shqiptare, tha kandidati i BDI-së në zonën zgjedhore 5, Talat Xhaferi. Ai në Debatin Zgjedhor në TV21 shtoi se falë BDI-së bashkësitë më të vogla etnike kanë fituar statusin e duhur në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, andaj ata kanë vendosur që pa rezervë ta mbështesin edhe idenë për Kryeministër shqiptar të dalë nga BDI-ja.
I pyetur se pse kandidati doemos të jetë shqiptar, e jo nga bashkësitë e tjera më të vogla që jetojnë në vend, Xhaferi tha se nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen kandidat për kryeministër të jetë një person nga ato komunitete.