Pse i shkonin djersët çurg udhëheqësit, kur shpallte fitoren e Rilindjes?


Nga Enkel Demi

Kur Edi Rama doli në mbrëmje të shpallte fitoren e Rilindjes vinte tejet i zbehtë, ndërsa bulëzat e djersës i mbulonin ballin. Qe i veshur me sqimë dhe i mbërthyer fort deri në grykë, ndryshe nga paraditja e votimit me pantallona mbi gju, çorape trikotazhi dhe këpucë dhëndurësh.

Kumti e donte të ishte më solemn, pasi do të shpallte triumfin që e vesh me pushtet, pothuaj sa Enver Hoxha dikur. Por, ja që edhe në këtë ditë lavdie, ku kurorat e dafinës duhet t’i zbukuronin kokën e shogët, ai ishte i bardhë në fytyrë sikur e kishin lyer me shkumës, kurse djersët i mbinin kryeneçe në atë ballë të lartë udhëheqësi, sepse tani e tha açik që i pëlqen ta quajnë udhëheqës, jo kryetar a ndryshe.

Zëri i tij i shtruar, dora e pajtimit, përmbajtja kërcënuese për mos ta fyer armikun si bëri gjithë këtë muaj nuk tregonin qetësinë e një stine të gjatë pushtetërimi që e pret. Ajo fytyrë e bardhë si dëbora, të cilën nuk e kishte nxirë as dielli i Vlorës, ku llapaçitej në det një ditë më parë, ato currilë uji që zbrisnin në faqe tregonin një shqetësim, një ankth që nuk po soste.

Orë më vonë KQZ-ja e Denar Bibës që ka hyrë në histori na tregoi se vetëm orën e fundit votuan 100 mijë e ca vetë më shumë. Ky fluks i jashtëzakonshëm votuesish nuk u pa gjëkundi, as në radha, as në vonesa të mbylljes së procesit. Madje, një komisioner i lodhur në Kavajë ia vuri kyçin qendrës, tek tha: “… kam pesë orë që rri kot”. Por, KQZ-ja e Denar Bibës që ka hyrë në histori, ia doli më në fund të thotë se kanë votuar plot 21.6 për qind, gati 780 mijë votues, kurse në Dibrën e përgjimeve, të “tërmetit” njerëzit kanë rendur të votojnë, që t’i thyejnë hundët atyre që besojnë se votat janë shitur ndonjëherë në këtë vend.

Tani, udhëheqësi ka një rezultat si ia do ënda, madje ka pësuar rritje në krahasim me zgjedhjet e 2017-ës, ku zgjedhjet nuk u vodhën askund, përveç se te kasetat e Peter Tiede. Udhëheqësi tani mund të kthehet i qetë në fis tek benevrekët, çitjanet apo xhixhillikët që të mbajnë fresk, pasi nën udhëheqjen e tij u shënua një tjetër fitore ndaj artistit, filxhanit dhe kazanit.

Kur Edi Rama doli në mbrëmje të shpallte fitoren e Rilindjes, KQZ-ja e Denar Bibës që ka hyrë në histori ishte e mefshtë dhe nuk e kishte kuptuar që duheshin jo 100, por 200 mijë vota më shumë, se legenat nuk kishin dalë për të votuar, ndaj njësoj si në 26 maj të vitit 1996, komisionerët i hynë punës me vrrull, madje pa pyetur në kishte kamera a aparate që i filmonin gjatë kësaj sprove atdhedashurie.

Tek e fundit, ça po bënin? Nxirr letra fut letra. Ja kaq po bënin. Kështu kanë bërë përherë, por të djelën mbrëma u kuptua që nuk duhet të kishin besuar aq shumë tek kompjuterat e burokratëve që shulloheshin në selinë e Rilindjes. Diçka shkoi gabim me llogaritë, te ata që duhet të votonin vet’i pestë. Kjo punë zgjidhej qysh të shtunën. Mbusheshin kutitë dhe pastaj le të vinin sa të vinin.

Kjo bëri që kur Edi Rama doli në mbrëmje të shpallte fitoren e Rilindjes të lagej qull nga ato djersë, të cilat ia kishin bërë meit portretin, sepse nuk ka hajdut xhepash që vjedh gjysëm portofoli, por e zgrrep të tërin.