Pse duhet të hamë peshk çdo javë?!

Vitaminat e Peshkut

Për zemër të shëndoshë dhe tru preferohet si ushqim peshku bile së paku dy herë në javë.
Peshku përmban vitamina B, si vitaminën B6, e cila lufton aneminë, vitaminën D, që është shumë e rëndësishme për asimilimin e kalciumit, etj.

Ndërsa mëlçia e peshkut është e pasur me vitaminën A, antioksiduese, e cila është tepër e dobishme për sytë dhe lëkurën. Gjithashtu, te peshku gjenden edhe vitaminat B2, B12, PP. Vetëm peshqit e dhjamtë janë të pasur me Omega 3, e cila ka acide yndyrore të pangopura, dhe mbron zemrën nga sëmundjet kardiovaskulare, ndryshe nga dhjami i mishrave, i cili përmban acide yndyrore të ngopura.

Po kështu, studimi më i fundit i bërë te gratë shtatzëna thanë se ngrënia e një sasie të konsiderueshme peshku gjatë 9 muajve të shtatzënisë (rreth 340 gramë në javë) ndikonte mjaft në inteligjencën e fëmijëve. Gratë që e kishin konsumuar vazhdimisht këtë produkt, jo vetëm që lindnin fëmijë më të zgjuar, por edhe kishin një shikim më të mirë. Nga ana tjetër, peshku këshillohet shumë gjatë periudhës së shtatzënisë, pasi këto gra kanë një nevojë shumë të madhe për hekur.