Pse bota rrezikon Luftën III Botërore?


Në një intervistë për gazetën italiane ”Il Giornale”, analisti Alessandro Politi, drejtor i Fondacionit të Mbrojtjes së NATO-s, e vetmja qendër kërkimore joqeveritare e lidhur drejtpërdrejt me aleancën, shpjegon arsyen pse anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në paktin atlantik, nuk do të jetë aq i afërt, dhe vetëm në verë do të kuptojmë se cila do të jetë formula më e mirë për anëtarësimin e tyre të mundshëm. Politi paralajmëron se rreziku i vërtetë i një luftë të re botërore nuk vjen dhe aq shumë Rusia, sesa nga tensionet midis Kinës dhe SHBA-së në rajonin e Paqësorit.

Pse Ukraina dje, dhe Suedia dhe Finlanda sot, duan të anëtarësohen në NATO?

Ukraina u ftua në vitin 2008. Por më pas për arsye të qarta, u kuptua që ftesa nuk do të pasohej nga anëtarësimi, pasi kjo do të shkaktonte probleme me Rusinë. Pas pushtimit rus të Ukrainës, Suedisë dhe Finlandës, dy vende që kanë qenë neutrale gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, mendojnë se neutraliteti nuk mjafton për të garantuar sigurinë e tyre. Të gjitha këto vende neutrale, përfshirë Serbinë dhe Zvicrën, janë partnerë të NATO-s dhe si të tilla, nuk mbrohen nga Neni 5 i traktatit themeltar të NATO-s.

A janë reale kërcënimet e Rusisë ndaj tyre?

Rusët u thanë qartë suedezëve dhe finlandezëve: “Bëni zgjedhjen që dëshironi, por mos harroni se nëse bëheni anëtarë të NATO-s, ne duhet të forcojmë mbrojtjen tonë në kufijtë që kemi me ju dhe në Detin Baltik”. Dhe kjo përfshin një vendosje të mundshme të armëve bërthamore në përmasa që nuk ishin menduar më parë.

Por ky është më shumë një gjest politik sesa operacional, pasi sot rusët i kanë në gatishmëri armët bërthamore për ta goditur Suedinë dhe Finlandën. Prandaj e shoh të pamundur që konflikti të përhapet në këto vende, edhe sepse makineria ushtarake ruse po del shumë e dëmtuar nga aventura e fundit në Ukrainë.

Pse Rusia ka frikë nga Suedia dhe Finlanda, dy vende zakonisht paqësore?

Rusët nuk kanë probleme me këto dy vende skandinave në vetvete, por me NATO-n. Mos harroni se Aleanca Atlantike, në të cilën duan të anëtarësohen Suedia dhe Finlanda, është superiore ndaj Rusisë sa i përket shpenzimeve dhe fuqisë ushtarake, me përjashtim të armëve bërthamore. Nuk është si në kohën e Luftës së Ftohtë, kur Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Traktatit të Varshavës kishin një forcë konvencionale më të madhe se ajo e NATO-s. Sot ky bilanc forcash është përmbysur.

Po pse Rusia ka kaq shumë frikë nga NATO-ja, nëse vendet e aleancës nuk e kanë sulmuar asnjëherë drejtpërdrejt tokën ruse?

Kjo është e vërtetë, por Putin është një njeri që është rritur në radhët e KGB-së, dhe dëshiron një sërë vendesh neutrale nga veriu i Evropës në Kaukaz. Megjithatë ka pasur një periudhë kur NATO dhe Rusia ishin partnerë të vërtetë, por më vonë marrëdhëniet u prishën.

E keni fjalën për partneritetin NATO-Rusi?

Po. Do të duhej një vullnet i madh politik për ruajtjen e një partneriteti midis NATO-s, në të cilën SHBA-të mbajnë peshën kryesore, dhe Rusisë që zotëron ende një fuqi bërthamore të konsiderueshme. Kur Putini pa një numër vendesh ish-sovjetike që iu bashkuan NATO-s, nisi të kishte dyshime se si do të ishte e ardhmja. Që në vitin 2007 ai paralajmëroi se nuk do të pranonte më asnjë zgjerim të NATO-s në lindje. Ky sinjal në përgjithësi nuk u kuptua. Aq sa pavarësisht luftës Gjeorgji në vitin 2008, aleanca e ftoi Tbilisin dhe Kievin.

Nëse rënia e Bashkimit Sovjetik shënoi fundin e Luftës së Ftohtë, çfarë nevoje kishte NATO të zgjeronte e kufijtë e saj në lindje?

Kjo është një pyetje e mirë, të cilën unë i kam bërë vetes pikërisht në ato vite. Dhe përgjigjen ma ka dhënë një kolonel rumun. Ai më tha: “Ju nuk e dini se çfarë do të thotë kur një vend nuk ndihet i sigurt. Ne nuk duam që të jemi në një zonë gri”.

Në retrospektivë, me atë që ndodhi në Ukrainë, unë e kuptoj atë përgjigje. Ekziston një dallim midis humbjes de fakto të 1/10 së vendit në një luftë hibride, siç ka ndodhur me Krimenë dhe Donbasin, dhe një pushtimi në shkallë të plotë. Është kjo e fundit, ajo që i shtyu suedezët dhe finlandezët t’i bëjnë vetes disa pyetje. Në këtë rast, nuk ka lidhje trashëgimia e komunizmit. Gjithçka ka të bëjë me nacionalizmin.

Pra Putin nuk dëshiron rindërtimin Bashkimit Sovjetik?

Jo, ideologjia është vetëm një maskim. Bashkimi Sovjetik mund të kishte qenë edhe një fuqi demokratike, por e vërteta është se ishte një fuqi konkurruese. Putini nuk dëshiron të rindërtojë Bashkimin Sovjetik. Ai ka mentalitetin e një nacionalisti rus dhe i intereson vetëm rindërtimi i një Rusie të fortë dhe të fuqishme. Lufta ishte një gabim i madh i tij, dhe ai tashmë e ka humbur atë, sepse nuk arriti ta rrëzonte qeverinë ukrainase.

Pra s’do të kemi një rikthim tek Lufta e Ftohtë?

Unë nuk kam frikë nga rikthimi i Luftës së Ftohtë, por kam frikë se nëse kjo situatë nuk përfundon shpejt, dhe nëse Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk negociojnë seriozisht, ne rrezikojmë të futemi në një luftë të re botërore për Paqësorin.

Ukraina është vetëm një detaj, ndërsa Paqësori është jetik për Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Në Evropë ka një detonator, por në Paqësor ndodhen ngarkesat kryesore shpërthyese. Aq është e vërtetë kjo, sa që ishte aty ku amerikanët lëshuan bombën bërthamore në Luftën e Dytë Botërore dhe jo në Evropë. /bota.al/