Pse 1 Prilli është “Dita e Gënjeshtrave” dhe ç’duhet të dini për të

Nuk e dimë nëse ju kanë gënjyer apo keni gënjyer sot, por e dini si lindi 1 Prilli-Dita e Gënjeshtrave?
Ata që gënjejnë dhe gënjehen në 1 Prill, quhen sipas traditës “Budallenjtë e Prillit” dhe nëpër botë njihet si “Dita e Budallenjve” (April Fool’s Day).

Sipas shpjegimit të profesor Joseph Boskin një shakaxhi i quajtur Kugel i tha perandorit se ai mund ta drejtonte më mirë perandorinë. Perandori e mori me të qeshur këtë gjë dhe e lejoi Kugel-in të bëhej perandor për një ditë, në datën 1 prill, të cilën Kugeli e shpalli ditën e gënjeshtrave.

Ky shpjegim u publikua në vitin 1983 nga Associated Press, por kishte një problem, Boskin e kishte trilluar këtë gjë për të bërë një shaka për 1 prillin. Associated Press iu desh disa kohë që ta kuptonte që kjo ishte gënjeshtër dhe t`i kërkonte falje lexuesve.

Më pas, kjo datë u kthye në një traditë argëtuese nga britanikët, të cilët në vitet 1800 filluan t’i bënin njëri-tjetrit rrengje më 1 prill. Aq seriozisht u morën këto shaka, sa filluan të praktikoheshin edhe nga institucionet prestigjioze, si për shembull BBC e cila në 1957-ën, botoi një artikull ku thuhej se “të korrat e makaronave në Zvicër po kapnin rekorde, ndërsa jufkat po çelnin nëpër pemë.”

Shakaja më e çmendur konsiderohet ajo e një gruaje amerikane që u arrestua nga policia, pasi deklaroi se kishte vrarë burrin e saj. Në Skoci, 1 prilli zgjat 2 ditë. Ditën e dytë njerëzit shpesh goditen papritur nga pas. Në Kanada dhe Angli, gënjeshtrat e 1 prillit lejohen të thuhen deri në mesditë. Pastaj loja mbaron.

Në Francë, fëmijët e kanë traditë që t’i vendosin njëri-tjetrit në shpinë një letër në formë peshku. Kurse në vendin tonë, Dita e Gënjeshtrave luhet plot 24 orë dhe sigurisht përpiqemi që skenari i hileve dhe mashtrimeve të jetë sa më i besueshëm dhe i rëndë për “të mashtruarin”.