PS nis betejën me Metën, mbledh Parlamentin: Brenda një seance i rrëzon 11 dekrete

Partia Socialiste do të mbledhë Parlamentin të martën, për herë të parë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Në rendin e ditës ka një agjendë të ngjeshur të miratimit të ligjeve, akteve normative. Por ajo që bie në sy janë shqyrtimi në bllok i 11 dekreteve për kthim ligjesh të paraqitur nga presidenti Ilir Meta. Një paketë ligjesh lidhet kryesisht me ato që cilësohen si pjesë e reformës në drejtësi. Mazhoranca përpara zgjedhjeve i rishikoi ato ligje që u votuan me shumicë të cilësuar votash, por që presidenti i ktheu ato bllok.

Veç ligjeve të paketës së reformës në drejtësi, Meta ktheu mbrapsht edhe ligjin për Vettingun në Policie. Në shkresën e tij ai e cilësoi si të qëllimshëm ndërprerjen e procesit të vettingut në polici dhe se kjo bëhej, sipas tij, si një presion përpara zgjedhjeve.

Do jetë pikërisht kjo seancë që do të shfrytëzohet nga socialistët për të kritikuar presidentin Meta në lidhje me qëndrimet e mbajtura për zgjedhjet e 25 prillit, por mbi të gjitha të su*lmeve të paprecedente që ai ndërmori ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim. Këto su*lme do të jenë dhe busulla e be*tejës së socialistëve në ditët e ardhshme ndaj Metës.

Rrëzimi në bllok i 11 dekreteve të Metës do të jetë edhe një sinjal i fortë ndaj presidentit, ku mazhoranca tashmë ka nisur përgatitjet për të ngritur një komision he*timor të dytë parlamentar për shkarkimin e tij.
Mazhoranca po synon ta përfundojë këtë procedurë me Parlamentin aktual, pa pritur që të nisë punën Legjislativi i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk e ka shumicën e nevojshme për të votuar shkarkimin e presidentit, për t’ia dërguar më pas për vendimin final Gjykatës Kushtetuese.