Protestë për “rrugën e vdekjes” në Tetovë! Banorët kërkojnë masa për parandalimin e shpejtësisë së veturave

Në shenjë revolte për aksidentin në komunikacion nga i cili humbi jetën një vajzë 6 vjeçare, disa qytetarë protestuan duke bllokuar rrugën industriale në Tetovë, ose siç e quajtën ata “Rruga e vdekjes”. Ata kërkuan që të merren masa për vendosjen e ndonjë nënkalimi ose pengesa për parandalim të shpejtësisë.

“Vite me radhë kjo rrugë po merr jetë njerëzish. Hiç më larg se një javë më parë një vazjë 6 vjeçare humbi jetën në këtë rrugë. Ajo nuk e kishte shijuar as klasën e parë. Kjo rrugë ia preu ëndrrat. Andaj, ne banorët e kësaj zone dhe gjithë protestuesit, kërkojmë që urgjentisht të ndërmerren masa për parandalimin e aksidenteve në të ardhmen edhe atë duke: Vendosur pengesa për zhvillimin e shpejtësisë. Duke e ndarë fizikisht të gjithë rrugën industriale dhe të lihet hapësira për kalim nga njëra anë në anën tjetër vetëm nëpër vendkalimet ekzistuese”, tha Enis Ajruli nga Këshilli organizativ.

Babai i vajzës gjashtë vjeçare që humbi jetën pikërisht në këtë rrugë tha se ka dalë në protestë me qëllim që fatkeqësia e tij, të mos i ndodhë edhe dikujt tjetër.
“Mua më ka ndodh që të mos i ndodhë dikujt tjetër, pse t’i ndodhë edhe dikujt tjetër duke qen të behët sa më shpejtë, duhet të behët mbikalim ose nënkalim se këtu kanë qenë hekurat dhe shkuan i hoqën”, tha Bashkim Memeti.

Edhe qytetarët tjerë që kishin dalë në protestë apelojnë që të merren sa më parë masa pasi që kjo rrugë deri më tani ka sjellë vetëm të këqija.
“Kisha apeluar që ata që janë të punësuar, o me parti o pa parti, ta kryejnë punën e vetë, arkitektët që e kanë ndërtuar këtë rrugë, rrugë kalime duhet të ketë dhe nëse nuk dinë vetë le të shikojë qytet tjerë si e kanë rregulluar këtë çështje, le t’i rregullojnë”, tha një protestues.
“Mendoj se policia duhet të merr masa, komuna të merr masa, duhet të vendosen policë të shtrirë, këtu shpejtësia e madhe nuk ndalen çdo 10 ditë 15 ditë ke që shkelet ndonjë”, u shpreh një protestues tjetër.

“Atje semaforët janë vendos dy herë në të kuqen më kanë ra , shkuan 40 e ­çon 100 e lartë pse mos ketë gunga çfarë është kjo autostradë a çka është! Le të çojnë 40, gunga duhet këtu edhe këtu dy gunga edhe atje dy gunga edhe u krye puna”, shtoi një tjetër protestues.
“Mua aty më kanë shkelë para një vjet e gjysmë edhe pasojat i kam sot e kësaj dite dhe 14 ditë në Shkup kamë qenë dhe nuk kam ditë a do të shërohem”, deklaroi një protestues.

Protestuesit paralajmëruan se brenda dy javësh nëse nuk zgjidhet kjo çështje, ata përsëri do të dalin në protestë.
Nga Komuna e Tetovës dolën me përgjigje:
“Për sa i përket sigurisë së këmbësorëve në komunikacion dhe konkretisht në bulevardin Industrial në Tetovë, sektori për veprimtari komunale pranë komunës së Tetovës disa herë deri më tani, ka dërguar shkresë deri tek SPB Tetovë, për kontrolle më të shpeshta të shpejtësisë së automjeteve në këtë rrugë të qytetit. Gjithashtu është servisuar dhe mirëmbajtur sinjalizimi vertikal rrugor si dhe semaforët në afërsi të shkollës Kirili dhe Metodi, të cilët edhe sot janë në funksion”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Për sa i përket kërkesës për vendosjen e pengesave në rrugë nga Komuna thonë se do të kërkojnë pëlqim nga SPB Tetovë për vendosjen e tyre, si dhe për ndërtimin e mbikalimit, gjithnjë siç thonë, duke vepruar në kuadër të ligjit.