Punëdhënësit, muzikantët, fotografët, punonjësit në studiot për dekorime, ëmbëltoret, luleshitësit, salonët e ondulimit dhe veprimtaritë e tjera në lidhje me organizimin e festimeve të dasmës bllokuan kryqëzimin në lagjen Autokomandë në Shkup. Ata kërkojnë që qeveria t’i lejojë menjëherë të punojnë, respektivisht të organizojnë dasma dhe festa të ngjashme nën protokolle të rrepta. Ata ankohen se nuk kanë të ardhura për një vit të tërë, por thonë se rregullisht i paguajnë punonjësit e tyre.
Apelojmë për miratimin e një protokolli me dinamikë kohore i cili është i një rëndësie të jashtëzakonshme për çiftat e ri, por edhe për ne dhe gjithë veprimtaritë komplementare. Krahasuar me rajonin, ne jemi i vetmi vend që nuk ka marrë protokoll për evenimente të organizuara gjatë gjithë vitit dhe mbështetja e subvencionimit të pagave dhe kontributeve, si dhe grant i njëhershëm është ndihma më e ulët e drejtpërdrejtë në sektorin tonë në rajon – deklaroi Perica Golomeik- përfaqësues i gastronomeve.
Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, në pyetjen në lidhje me protestën e organizatorëve të festave familjare, deklaroi se nuk është kompetent, edhe pse sektori i gastronomisë është nën kompetencën e tij. Ai thotë se fjala e fundit për protokollet e punës i takon Komisionit për sëmundjet infektive. Nga Komisioni për Alsat shprehen se po monitorojnë situatën epidemiologjike dhe në bazë të kësaj, do të bëjnë rekomandime për ndryshimin e protokolleve.
Aktualisht, vlejnë protokollet e fundit të miratuara, derisa nuk shihet nevojë për t’i ndryshuar ato. Publiku informohet menjëherë për çdo ndryshim të ri në protokolle -thonë nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive. Protesta e sotme ishte nga ora 2 deri në 5 pasdite. Hyrja në Shkup ishte plotësisht e paralizuar. Protestë e njëjtë u mbajt edhe në Gostivar. Nga e hëna, ata njoftuan protesta të përditshme në të gjitha qytetet derisa autoritetet të përmbushin kërkesat e tyre.