Protestë, autobusët bllokojnë Kumanovën!

Kolona prej dhjetëra autobusëve pasi bënë gjiro nëpër Kumanovë, ndaluan para godinës së komunë, në shenjë proteste për shkurtimin e linjave të rregullta urbane, shkruan Alsat.
Transportuesit thonë se do të protestojnë deri në shqyrtimin e ankesave.

“Kemi parashtruar ankesa të reja, për fat të keq interesi i qytetarëve mbeti në plan të dytë për shkak të vendimeve të tilla të komunës sepse tenderat mund të kryheshin thjeshtë me procedurë të shkurtuar nëse pranoheshin ofertat e transportuesve, të cilët i përmbushnin plotësisht kushtet ligjore”, tha Viktor Bozhinovski, Përfaqësues ligjor i transportuesve.

“Ky autobus duhej të ishte përplot me nxënës për ti transferuar ata nëpër shkolla, por një problem me mos vazhdimin e liçencave ka shkaktuar revoltë tek transportuesit që protestojnë duke bllokuar rrugën.”
“Profesorët i qortojnë nxënësit përse nuk shkojnë në shkollë, a ne si prindër nuk jemi të obliguar t’ju organizojmë transportin e tyre, nëse komuna e ka për detyrë le ta organizojnë”, u shpreh një qytetar.

“Sipas meje të gjitha punëtorët e transportit në Kumanovë duhet të parashtrojnë padi kundër kryetarit të komunës së Kumanovës, turp del me ide dhe fantazi a nuk janë të aftë të organizojnë transportin urban”, tha një tjetër qytetar.
Nga Komuna e Kumanovës thonë se në shpalljen e parë publike për 2022, nga 26 linjat urbane u dhanë 21 oferta. 5 linja mbetën pa ofertues edhe në konkursin e dytë.

“Në të 15 linjat sipas marrëveshjes, kompanitë që kryejnë transport publik janë të obliguara që t’i transportojnë nxënësit që i kanë pranuar me emër nga shkollat. Në linjat e tjera për të cilat nuk janë përzgjedhur ende, shkollat janë të obliguara ligjërisht që të nisin procedurat për transportin e nxënësve dhe drejtpërdrejt të lidhin marrëveshje si person juridik me ata ofrues të shërbimeve”, njoftojnë nga Komuna e Kumanovës.
Kriteri bazë në shpalljen publike ishte që kompanitë që kryejnë transportin publik të kenë minimumi automjet ekologjike që plotësojnë standardet EURO 4./Alsat.mk