Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha sot se nuk mbështet propozimin e presidentit amerikan Donald Trump që të aktivizojë Aktin e Kryengritjes për të shuar protestat që po mbahen në gjithë vendin pas vrasjes së George Floyd, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Mundësia për të përdorur forcat aktive ushtarake në një rol të zbatimit të ligjit duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit dhe vetëm në situatat më urgjente dhe më të skajshme. Ne tani nuk jemi në një nga këto situata. Unë nuk e mbështes aktivizimin e Aktit të Kryengritjes”, tha Esper gjatë një takimi me gazetarët në Pentagon.
Trump të hënën tha se është gati të dërgojë trupa ushtarake për t’u dhënë fund protestave të dhunshme pas vrasjes së Floyd, një afro-amerikan i paarmatosur që u vra nga policia në Minneapolis, Minesota.
Presidenti po i referohej Aktit të Kryengritjes të vitit 1807, një ligj federal që fuqizon presidentin të vendosë trupa ushtarake në rrethana të veçanta, siç janë kryengritjet dhe rebelimet, apo për t’i dhënë fund trazirave civile.
SHBA që prej javës së kaluar është përballur me protesta pasi në internet u publikua një video që u bë e famshme, ku shihej Floyd teksa rrëzohej përtokë nga Derek Chauvin, një oficer i bardhë policor. Chauvin i vuri gjurin në qafë për gati nëntë minuta.
Pas kësaj, Floyd dukej se humbi vetëdijen, por Chauvin mbajti pozicionin e tij ndaj viktimës. Ai vdiq menjëherë pasi u dërgua në një spital.
Fjalët e tij të fundit ishin “Nuk mund të marr frymë”, që u bënë slogani i protestave mbarëkombëtare. Rezultatet e një autopsie të pavarur të publikuar të hënën treguan se Floyd u vra shkaku i “asfiksimit nga presioni i gjatë”.