Protestat në Francë, gjyshja e 17-vjeçarit të vrarë nga policia: Jepini fund dhunës!

Gjyshja e djalit 17-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje nga një oficer policie në një periferi të Parisit javën e kaluar, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës pas vdekjes së tij.

Gjyshja e viktimës Nahel Merzouk u bëri thirrje protestuesve të dielën, se duhet të ndalojnë së dëmtuari shkollat, të mos shkatërrojnë autobusët.

“Besojini drejtësisë. Jam e lodhur, vajza ime nuk ka më arsye të jetojë,” shtoi gjyshja e Nahel-it ndërsa shprehej se nuk është e mërzitur me policinë në tërësi por vetëm me efektivin që vrau nipin e saj.

Ndërkohë, ditën e sotme situata në Francë duket më e qetë ndërsa raportohet se në trazira ka humbur jetën një zjarrfikës 24-vjeçar në tentativa për të shuar një zjarr në Saint-Denis.

Gjatë natës u arrestuan 157 persona ndërsa autoritetet raportojnë edhe për tre të lënduar mes forcave të rendit.