Anëtarët e Shoqatës qytetarë “Sovest” nga Ohri paralajmërojnë protesta nëse sipas tyre nuk ndalen aktivitetet ndërtimore për restaurimin e xhamisë së Ali Pashës në çarshinë e qytetit.
“ Institucionet të zbatojnë rregullat ligjore dhe të mos lënë përgjegjësinë njëra tjetrës dhe në ndërkohë të vijojnë punimet antiligjore “, tha Tome Xhamtoski nga “Sovest”.
Xhamtoski sqaroi se sipas pikës 6 të miratimit duhet të ketë vendim ligjor për ndërtim.
“Këtë deri më tani nuk e ka pa askush dhe kjo për arsye që asnjë organ nuk ka dhënë vendim të tillë. Në vendimin e fundit nga Drejtoria për trashëgimi kulturore kërkohet që të ndalojnë punimet në xhaminë e Ali Pashës”, tha ai.
Xhamtoski paralajmëroi se nëse deri të hënën nuk ndalojnë punimet, do të organizohen protesta për të shprehur pakënaqësinë ndaj punës antiligjore e cila, sipas tij po dëmton Ohrin dhe qytetarët e tij.
Nga kjo shoqatë thonë se nuk janë kundër restaurimin dhe rinovimit të xhamisë, e cila është monument kulturor, por janë kundër ndërtimit të minares 32 metra e cila nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe për të cilën vlerësojnë që do të dëmtojë pjesën qendrore të Ohrit.
Ndryshe, Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut kohë më parë njoftoi se është formuar Komisioni nga persona profesional që t’i inspektojë rrethanat në lidhje me restaurimin e Xhamisë Ali Pasha në Ohër, dhe se ai grup erdhi në përfundim se ministri i Kulturës nuk ka bazë që t’i ndërpret punimet, por i inkurajon të gjitha institucionet kompetente të veprojnë nëse ka indikacione për shkelje të procedurave ligjore.