Është identifikuar dhe po kërkohet të ndalohet personi që hodhi mjetin shpërthyes që i këputi gishtat polices 24 vjeçare dje në protestë. Policja e plagosur tregoi në Top Channel momentin e shpërthimit. Ajo pritet të dërgohet jashtë për kurim. Ndërkohë për aktet e dhunës janë arrestuar 11 persona ndërsa nga nisja e protestës tek Unaza e Re, 60 protestues po ndiqen penalisht.
Përveç 11 të arrestuarve, policia e Tiranës pritet të ndalojë dhe procedojë penalisht edhe persona të tjerë në lidhje me protestën e dhunshme para parlamentit. Mes tyre është identifikuar edhe personi që hodhi kapsollën e fuqishme, nga e cila u dëmtua rëndë në gishta efektivja e repartit “Shqiponja”, Ina Nuka.
Ekspertët kriminalistë kanë konstatuar se shashkat që u përdorën të enjten kishin një përmbajtje shumë të lartë baruti, ndryshe nga mjetet e zakonshme piroteknike. Një verifikim tjetër po kryhet edhe për mënyrën sesi protestuesit i kanë siguruar këto kapsolla që u përdorën dhe hodhën në masë ndaj policisë.
Ndërkohë efektivja Ina Nuka që fatkeqësisht humbi gishtat në krye të detyrës, rrëfeu për emisionin “Open” në Top-Channel momentin e plagosjes.
“Ishim me shërbim te Parlamenti për protestën. Situata agravoi dhe turma nisi të shtynte. Isha në rreshtin e dytë dhe një nga këto plasëset më ra në trup dhe u mundova ta shmang me dorën e djathtë, pasi e kisha në pjesën e qafës”, tregon Nuka.
Polices së plagosur ju premtua dërgimi në një klinikë më të specializuar jashtë vendit për të rikuperuar demet e shkaktuara në dorë.
Një protestë e ngjashme si ajo e së enjtes, banorët e unazës së re mbajtën edhe para bashkisë së Tiranës javën e kaluar ku gjithashtu disa efektivë të policisë bashkiake mbetën të lënduar. Në këtë protestë u përdor edhe koktejl-molotovi ndërsa 9 persona u proceduan penalisht për kundërshtim të punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës dhe organizim të tubimeve të paligjshme.
Që prej nisjes së protestave nga banorët e unazës së re rreth 3 javë më parë, në total më shumë se 60 persona janë kallëzuar në prokurori edhe për bllokimin e përditshëm të rrugës me akuzën e pengimit të mjeteve të transportit dhe prishjes së qetësisë publike.
Për protestën e fundit ku mbetën të lënduar 12 efektivë dhe disa protestues edhe avokati i popullit ka nisur një hetim për të parë nëse ka patur tejkalim të kompetencave nga ana e institucioneve.
23 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)