Protesta e PSD-së, Policia vendoset para objektit të Qeverisë (FOTO)

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë vendosur para objektit të Qeverisë së Kosovës, një orë para se të fillojë protesta e thirrur nga Partia Socialdemokrate, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

Policët janë vendosur para objektit të Qeverisë, pasi që organizatorët e protestës kanë paralajmëruar se para këtij objekti do të mbahen fjalimet kryesore të protestës.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka bërë të ditur dje se protesta do të jetë paqësore.

“Ne nuk do të ndalemi, jo vetëm të shtunën, sepse përtej kësaj që ky vendim të mos jetë në fuqi sepse aq sa është skandaloz është edhe i padrejtë”, tha ai.
Më tutje, ai paralajmëroi se nuk do të ndalen dhe se aksione të tilla do të organizojnë edhe më tutje.

“Protesta do të jetë paqësore por sigurisht që do të kemi edhe aksione simbolike që do ta shprehin revoltën e qytetarëve kudo në Kosovë por edhe neve si PSD karshi këtyre zhvillime që kanë ndodhur, përkatësisht këtij propozimi të ZRRE-së”, tha ai, të premten në një konferencë për media.

PSD-ja do të mbajë nesër një protestë nga ora 14:00. Ajo fillon në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe mbaron tek objekti i Qeverisë së Kosovës.