Sot pasdite duhej t’i bllokonin rrugët para Kuvendit dhe të marshojnë drejt Qeverisë. Megjithatë, pro*testa e paralajmëruar e Konfederatës së Sindikatave të Lira nuk u mbajt. Erdhën vetëm kryetarët e sindikatave, por jo edhe anëtarët e tyre. Arsyeja për këtë, siç thonë, janë presionet që u janë ushtruar sindikalistëve se do ta mbesin pa vendin e tyre të punës. Kërkesa e tyre është harmonizim i rrogave me pagën minimale.
“Siç e shihni, numri është ky që është në parkun “Gruaja Lu*ftëtare”. Kishim paraqitje dhe denoncime se po ushtrohen presione të mëdha mbi anëtarësinë tonë për të mos dalë në pro*testë. E arsyen për këtë e dimë të gjithë. Në qoftë se dalin në pro*testë dhe duken në kamerë, u kërcënojnë se do të mbesin pa vendin pune”, tha Bllagoja Rallpovski, kryetar i KSL-së.
E kur flasim për pro*testa, rreth 500 punonjës të Drejtorisë së Librave Amë prej nesër në orën 8 do të nisin grevë. Kërkojnë paga më të larta, kurse greva organizohet nga Sindikata e Pavarur e Drejtorisë së librave amë. Sportelet për paraqitjen e kërkesave për lëshimin e certifikatave të lindjes, të martesave dhe certifikatave të vdekjeve nuk do të funksionojnë.
“Ne si sindikatë e pavarur e Drejtorisë së Librave Amë konsiderojmë se duhet të ketë rritje lineare të pagave për të gjithë punonjësit në Drejtorinë e Librave Amë, sepse kostoja e jetesës është vazhdimisht në rritje, ndërsa pagat e punonjësve nuk janë rritur fare për shumë vite, madje edhe disa punonjës paguhen nën pagën minimale”, tha Toni Milloshevski, kryetar i Sindikatës të Drejtorisë së Librave amë.
Greva është pasojë e hasjes për tre vjet në vesh të shurdhër të autoriteteve kompetente për rritjen e pagave të punëtorëve në shërbimet e librave amë, të cilat arrijnë në 14.500 denarë, që është më pak se paga minimale.