Protesta e katërt kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kërçovë

Pasdite në Kërçovë u mbajt protesta e katër paqësore kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike e cila u mbajt në sheshin e qytetit.

Organizatorët e protestës e cila u zhvillua nën moton “Edhe Kërçova proteston kundër EVN-së”, përsëritën edhe sot se ata janë organizuar si reagim të shtrenjtimit të rrymës dhe nuk kanë kurrfarë prapavijë politike, kërkesat e tyre janë thjesht me karakter ekonomik.

Ata i kanë pothuajse të njëjtat kërkesa si edhe në tre protestat paraprake, shfuqizimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë, uljen e çmimit të energjisë elektrike për 46 për qind, uljen e TVSH nga 18 në 5 për qind, si dhe shpërndarjen e Komisionit Rregullator për Energjetikë. Sot u shtua edhe një pikë, me çfarë kërkojnë të falen borxhet për energji elektrike të familjeve të rrezikuara sociale.

Gjithashtu, ata konsiderojnë se nevojitet trup i pavarur arbitrar i cili do ta rregullojë edhe vlerësojë shërbimin të cilin qytetarët e marrin nga kompanitë energjetike.

Protesta përfundoi qetë në shesh, sot nuk ka pasur marshim.