Propozohet që Kuvendi të ketë 5 nënkryetarë, Siljanovska: Në krizë të Covid-19 u prit shkurtimi i tyre

Shumica parlamentare edhe pse uli numrin e ministrave pa resor, ka vendosur që numrin e nënkryetarëve ta mbajë të njëjtë sikurse gjatë përbërjes së kaluar parlamentare. Propozimi që edhe Kuvendi i ardhshëm të ketë pesë nënkryetar, ka ngjallur reagimin e opozitares VMRO-DPMNE.

Deputetja Gordana Siljanovska tha se në kohë të krizës së shkaktuar nga Kovid-19 pritej shkurtimi i këtyre posteve në 3 dhe jo të jenë pesë.
“Në kohën e krizës së Kovid-19, ku të gjithë i racionalizojnë statuset dhe detyrimet, ne mbetemi në tre nënkryetar, më falni në 5 nënkryetarë. Prita që do t’i ulni në dy, sepse konsideroj se në të drejtën komparative, sipas numrit të deputetëve, ne kemi numrin më të madh të nënkryetarëve. E panevojshme dhe bëhet fjalë për luftë për status dhe asnjëri nga ata nuk do të ulen asnjëherë këtu”, tha Gordana Siljanovska, deputete e VRMO-DPMNE-së.

Opozitarja propozoi edhe largim të pikës së dytë të rendit të ditës, ku është verifikimi i numrit të nënkryetarëve, por kjo nuk u pranua nga deputetët.

Për këtë reaguan nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Deputeti Jovan Mitrevski porositi se nëse opozita nuk dëshiron numër të madh të nënkryetarëve, le të mos propozojë fare.
“Po bëhet dramë. Po përdoren fjalë të cilat mendoj se në këtë moment nuk duhet të përdoren. Ky është vendim për numrin e nënkryetarëve, të cilët nuk do të thotë se do të zgjedhen. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur raste, edhe tash kemi raste. E para, opozita duhet të vendos a do të kandidojë nënkryetar ose jo. //Nëse propozon, do të kemi më shumë, nëse nuk propozon do të kemi më pak”, u shpreh Jovan Mitrevski, deputet i LSDM-ës.

Pika e parë e rendit të ditës së seancës së dytë të Kuvendit ishte verifikimi i mandateve të deputetëve të ri, pasi disa prej atyre paraprak që ishin zgjedhur janë propozuar për të qenë pjesëtarë të Qeverisë së re. Nga deputeti dorëheqje ka dhënë edhe deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Florim Besimi. E Dorëheqja e tij u bë mollë sherri mes deputetes Siljanovska dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi.

“Deputeti ka dhënë dorëheqje nga funksioni deputetë dhe me këtë na lehtësoi të gjithëve punën. Kjo është rrjedhja e drejtë e punëve, tash nuk duhet ta përziejmë antikorrupsionin. Antikorrupsioni siç ka reaguar, sipas meje është përzierje para kohe në punë që nuk kanë vepruar, sepse për mua Antikorrupsioni mund të veprojë dhe reagojë atëherë kur do të ketë arsye për të reaguar”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.