Propozimi francez para deputetëve, Von der Layen me fjalim, protesta para kuvendit!

Deputetët sot do të fillojnë diskutimin për propozimin francez, për të cilin dy blloqet politike kanë qëndrime të kundërta. LSDM-ja ka përgatitur propozim konkluzione të cilat do ta detyrojnë qeverinë të mos negociojë për identitetin.

VMRO-DPMNE-ja thotë se konkluzionet nuk do të kenë asnjë peshë nëse nuk e ndryshojnë kornizën negociuese. Para deputetëve, edhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen.

Protestat do të ketë edhe sot, por me orar të ri.

Opozita maqedonase bëri thirrje për protesta pikërisht në mesditë, në kohën kur Kuvendi do ta shqyrtojë propozimin francez dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Layen do të ju drejtohet deputetëve.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski siguron se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.
I pyetur nëse policia ka ndonjë informacion për trazira të mundshme gjatë seancës së nesërme parlamentare, ku do të flasë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Spasovski tha:
“Po bëhen analiza, po mblidhen të gjitha informacionet lidhur me zhvillimet e mundshme që do të ndodhnin gjatë mbajtjes së seancës. Ministria e Brendshme do të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e deputetëve dhe të Legjislaturës. Protestat dhe shprehja publike e qëndrimit është një e drejtë demokratike, por duhet bërë në mënyrë demokratike. Demokracia nuk nënkupton sjellje anarkike”, tha Spasovski.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje në një intervistë për MIA-n ftoi deputetët të mendojnë si burrështetas dhe të vendosin përpara interesat e vendit, në vend të interesave partiake. Nga LSDM-ja thonë se çështja e mbarëvajtjes së seancës varet nga kryetari i Kuvendit kurse ata i kanë gati propozim-konkluzionet që synojnë t’i miratojnë.