Propozimi francez, Ametovic: E vetmja mundësi për anëtarësim në BE

Miratimi i Propozimit francez nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut është e vetmja mundësi që mund të shfrytëzohet për fillimin e negociatave të anëtarësimit të RMV-së në BE, thotë raportuesi në bundestagun gjerman për Ballkanin Perëndimor, Adis Ametovic. Pas miratimit të këtij vendimi epilogun pozitiv të gjithë kësaj situate Ametovic thotë se do ta ndjejnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

“Vendimi që me shumë gjasa do të merret sot ose nesër është mjaft i vështirë për popullin maqedonas, i cili gjithashtu përmban shumë përgjegjësi dhe obligime që duhet të përmbushen. Vendi juaj 17 vite të plota ka pritur hyrjen në Bashkimin Evropian dhe për momentin është e vetmja mundësi që mund të shfrytëzohet falë, natyrisht, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, e cila për gjithë këto vite arriti t’i përmbushë të gjitha parakushtet që ishin të rëndësishme për hyrjen në Bashkimin Evropian dhe pas miratimit të këtij vendimi, epilogun pozitiv të gjithë kësaj situate do ta ndjejnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë” – tha Adis Ametovic, raportues në Bundestagun gjerman për Ballkanin Perëndimor.