Pronarja e përzë nga banesa familjen kosovare që u ankua për mykun në Zvicër

Familja Ahmeti nga Kosova që jeton në Kaisten AG të Zvicrës është përzënë nga banesa, për të cilën u ankua publikisht se ka shumë myk. Pronarja e banesës ka njoftuar familjen se në muajin prill, atëherë kur përfundon kontrata e qirasë, ata duhet të largohen nga banesa, raporton “Blick”.

Autoritetet zvicerane kanë fajësuar familjen shqiptare për mykun, duke thënë se nuk e kanë ajrosur siç duhet. Këtë pretendim e mohon Liridon Ahmeti (41 vjeç) dhe gruaja e tij, Meleqe (40 vjeç). Pretendimi mohohet edhe nga një ekspert i ndërtimit, që vizitoi banesën.

“Tani supozojnë se ne nuk e kemi ajrosur siç duhet. Gjë që nuk është e vërtetë. Problemi është se këtu ka shumë rrjedhje”, ka thënë Liridon Ahmeti.

Eksperti i ndërtimit, Alexander Foege, vizitoi banesën dhe përkrahu familjen në betejën kundër administratës.

“Ne duhet të ndihmojmë. Sidomos kur në këtë problem myku përfshihen edhe fëmijët”, ka thënë Foege, i cili inspektimin e ka bërë falas.

Ata që e kanë vuajtur më së shumti problemin me mykun janë fëmijët e çiftit shqiptar, dy djemtë 11 dhe 15 vjeç dhe vajza e tyre 16-muajshe, e cila madje “u sëmurë”.

Ne vetëm duam që dëmi i shkaktuar nga myku të paguhet. Administrata dërgoi një ekspert, por kurrë nuk e morëm rezultatin”, ka thënë tutje Liridon Ahmeti.

Për shkak se Ahmeti nuk mund ta përballonte financiarisht një ekspert ndërtimi, Foege bëri inspektimin falas dhe konstatoi se lagështia në banesë është shumë e lartë.

“Temperatura e dhomës prej 19.6 gradë është në rregull. Por lagështia prej mbi 63 për qind është qartësisht shumë e lartë. Në banjën e vogël, për shembull, nuk ka dritare. Problemi kryesor është rrjedhja e të gjithë konstruksionit të dritares. Disa nga dritaret dhe dyert po rrjedhin. Mund ta ndjeni kur mbani dorën mbi të”, shprehet i sigurt Foege.

Përveç kësaj, siç ka thënë Foege, druri godet drurin kur hapet dhe mbyllet dritarja, për shkak të një pjese që nuk funksionon më.

“Atëherë ajri i ngrohtë i brendshëm takohet me ajrin e ftohtë të jashtëm. Mund të ndodhë kondensim. Kjo nga ana tjetër nxit mykun. Dhe nuk mund ta largosh përgjithmonë me punë pastrimi sipërfaqësor. Problemi kryesor është rrjedhja e të gjithë konstruksionit të dritares”, ka thënë eksperti i ndërtimit, duke konstatuar se faji është i ndërtimit dhe jo i familjes që ka jetuar në banesë nga qershori i vitit 2012.

Pas konstatimeve nga eksperti i ndërtimit, familja Ahmeti u lehtësua. Ata po insistojnë që administrata zvicerane të paguajë dëmin e shkaktuar nga myku. Po kërkojnë rreth 10 mijë franga.

“Ne do të ikim nga këtu në çdo mënyrë. Por fatkeqësisht nuk është e lehtë të gjesh një apartament të madh në këtë rajon”, thonë ata.