Prokuroria zbardh detaje të reja për dhunën që i shkaktoi dje një grua bashkëshortit të saj në Spitalin e Gjakovës

Një rast dhune e një gruaje ndaj bashkëshortit të saj në Spitalin e Gjakovës është paraqitur dje përmes një videoje.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje shtesë. Sipas një komunikate, rast të dhunës në familje bashkëshorti kishte përjetuar edhe më parë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Gjithashtu nga kohë e pacaktuar e deri më 18 janar 2022, në shtëpinë e tyre të përbashkët, e pandehura shkakton dhunë në familje, keqtrajtim fizik dhe psikik, të dëmtuarit, bashkëshortit të saj A.N, duke e ofenduar ne mënyrë të vazhdueshme, kanosur dhe duke e goditur fizikisht, ku tek i dëmtuari ka shkaktuar dhembje fizike dhe shqetësim të madh emocional”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria njofton se prokurori i rastit ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuares V.N., e cila është aprovuar nga Gjykata kompetente, dhe e njëjta që nga data 18 janar gjendet në ndalim.

Dje, Policia e Kosovës e ka konfirmuar për Reporteri.net se gruaja është me probleme mendore, teksa bashkëshorti i saj, ashtu edhe siç shihet në video, është pjesërisht i palëvizshëm.

Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj ka thënë se e njëjta është hospitalizuar në repartin e Psikiatrisë.

“E dyshuara ( bashkëshortja) është shoqëruar në Stacionin policor, është intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, e njëjta mbahet në ndalim policor, por për shkak të gjendjës së saj mendore, me udhëzim te mjekut psikiatër, e njëjta është hospitalizuar në repartin e psikiatrisë , nën shoqërimin e zyrtarëve policor”, ka bërë të ditur Xhurkaj. /Reporteri.net/

Ndryshe, në videon e publikuar shihet se gruaja provon ta ndihmojë bashkëshortin e saj për ta dërguar në tualet, por nuk mundet ta bëjë këtë.