Prokuroria: Vrasja në Debresh ndodhi me paramendim, kishim mosmarrëveshje prej kohësh

Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tre personave, sepse ekziston dyshimi i bazuar se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 4 të Kodit Penal.

Të tre vëllezërit nga fshati Debreshë, më 23 korrik, me paramendim dhe nga hakmarrja e pamëshirshme, kanë privuar nga jeta një bashkëfshatar me të cilin kishin mosmarrëveshje të gjata. Ditën kritike, fillimisht ndodhi një përleshje fizike ndërmjet njërit prej vëllezërve dhe viktimës. Pas rrahjes, i dyshuari thirri edhe vëllezërit e tij, të cilët të revoltuar morën nga shtëpitë armë zjarri – një kallashnikov dhe një pistoletë. Të tre, me një makinë “Volvo” me targa zvicerane, u drejtuan drejt shtëpisë së të dëmtuarit. Kur e gjetën, qëlluan drejt tij me pistoletë dhe pushkë automatike, duke i shkaktuar plagë të shumta me armë zjarri nga të cilat viktima vdiq menjëherë.

Pas ngjarjes, të tre të dyshuarit u mbajtën në paraburgim të shkurtër prej 48 orësh për të kryer të gjitha ekspertizat. Me fillimin e hetimit, prokurori kompetent publik i paraqiti Gjykatës Themelore në Gostivar një propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit, pasi ekzistojnë rrethana që tregojnë për rrezikun e arratisjes dhe frikën e bazuar se do të pengojnë procedurën penale duke ndikuar mbi dëshmitarët që mund të jetë e nevojshme të merren në pyetje.