Prokuroria: Sulmuesit të ekipit të Alsat t’i përcaktohet masa e kujdesit

Prokuroria Publike kërkon që sulmuesit të ekipit të televizionit Alsat t’i përcaktohet masa e kujdesit, përkohësisht t’i merren dokumentet e udhëtimit si dhe i ndalohen kontaktet me dëshmitarët dhe të dëmtuarin. Pas dorëzimit të kallëzimit penal, prokuroria e ka inicuar procedurën kundër 53 vjeçarit, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale dhunë nga neni 386 paragrafi 3 të Kodit Penal.

“53 vjeçari i dyshuar, më 21 gusht, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, fillimisht ka kërcënuar dhe fyer, ndërsa më pas edhe fizikisht ka sulmuar ekipin e televizionit Alsat. Ai ka goditur me grusht kameramanin në kokë dhe trup, ndërsa tek dy gazetaret ka shkaktuar ndjenjë të ankthit dhe frikës. Në drejtim të zbardhjes së plotë dhe dokumentimit të rastit, me urdhër të prokurorit publik janë siguruar pamje nga videot e vëzhgimit nga objektet përreth”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Autoritetet thonë se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme që të dërgohet porosi se nuk do të ketë tolerancë ndaj asnjërit që guxon të ngre dorën ndaj gazetarëve.

“Këtë rast e punojmë së bashku me prokurorinë publike kompetente me qëllim që të dërgojmë porosi të qartë se absolutisht nuk ka tolerancë ndaj cilitdo që do të ngrit dorën ndaj gazetarëve. Me zgjidhjen e shpejtë të rasteve të tilla porosia është e qartë për të gjithë ata që në të ardhmen do të guxojë të ngrejë dorë ndaj gazetarëve. Çdo sulm ndaj gazetarëve do të jetë I dënuar në mënyrë drastike sipas rregulloreve ligjore…”, deklaroi Toni Angellovski, Zëdhënës i MPB-së.

Një ditë më parë derisa gazetaret e televizionit Alsat, Era Gjakova dhe Sarah Hoxha bashkë me kameramanin po kryenin detyrën e tyre në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, një person që e kishtë dyqanin në afërsi të vendit ku po bëhej inçizimi, pa kurrfarë arsye ka kërcënuar me mjete të mprehta gazetaret dhe kameramanin dhe i ka këcënuar me jetë. Pas kërcënimeve verbale, personi sulmoi fizikisht kameramanin e Alsatit duke i shkaktuar lëndime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. /Alsat.mk