Një 21-vjeçar nga Gostivari krijoi një organizatë terroriste sipas modelit të ISIS-it, duke rekrutuar anëtarë me qëllim kryerjen e sulmeve terroriste ndaj civilëve dhe objekteve publike.
Këto janë disa nga detajet e aksionit të djeshëm të MPB-së dhe Prokurorisë në rajonet e Strugës dhe Gostivarit.
Pas disa muajsh hetime paraprake të kryera nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Qendra e Hetimit dhe ekspertët e Forenzikës Digjitale, në bashkëpunim me MPB-në, u realizua një aksion në këto rajone.
Gjatë aksionit u arrestuan tre persona nga Gostivari dhe një nga Struga, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Organizatë terroriste”, sipas nenit 394-a të Kodit Penal, njoftoi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Sipas përmbajtjes së urdhrit për fillimin e hetimit, i dyshuari kryesor, një 21-vjeçar nga Gostivari, në fillim të këtij viti krijoi dhe koordinoi aktivisht një organizatë/strukturë terroriste, ku ishin përfshirë të dyshuarit e tjerë dhe persona të panjohur nga vendi dhe jashtë.
Organizata, e bazuar në ideologjinë e ISIS-it, kishte për qëllim kryerjen e sulmeve terroriste ndaj civilëve dhe objekteve publike. Në fillim të vitit 2024, i dyshuari kryesor krijoi disa grupe në rrjetin social Telegram, ku deklaronte gatishmërinë dhe qëllimin për të kryer sulme terroriste. Ai gjithashtu inkurajonte individë të tjerë të kryenin sulme të ngjashme në Evropë.
Në këto grupe ai shpërndante materiale propagandistike të ISIS-it, të cilat ishin përpunuar dhe përkthyer, rekrutonte anëtarë të rinj, përpiqej të siguronte armë zjarri dhe ndante udhëzime për ndërtimin e pajisjeve shpërthyese të improvizuara, që do të përdoreshin për sulme terroriste.
Duke pasur parasysh veprën penale që u ngarkohet të dyshuarve, rrethanat dhe faktin që janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori publik i ka propozuar sot gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup që të dyshuarve t’u caktohet masa e paraburgimit për një periudhë prej 30 ditësh.