Prokuroria Publike në vend ka hapur disa hetime për tragjedinë në Bullgari

Të gjithë ata që mundësuan lëshimet për kalimin pa leje të autobusit Besa Trans në kufi, si dhe funksionimin e kësaj kompanie transporti, do të mbajnë përgjegjësi. Kështu tha kreu i Prokurorisë Ljubomir Joveski, sipas të cilit Prokuroria e Shkupit po heton edhe punën e “Besa Transit”, por edhe se si autobusi i djegur ka kaluar kufirin dhe ka transportuar pasagjerë pa leje dhe kjo ka ndodhur më shumë se 100 herë. Kjo është arsyeja pse po hetohet, nëse mes Besa Transit dhe zyrtarëve ka ryshfet dhe korrupsion.

“Ne mbledhim të dhëna për përgjegjësinë e personave të tjerë dhe veprimet e tyre, që kanë ndikuar në aksidentin, por njëkohësisht edhe në pjesën e shkeljes së ligjeve, nëse vërtet konstatohet se ka shkelje të tilla. Bëhet fjalë, por ne gjithë atë e konstatojmë se mund të ketë falsifikim të disa dokumenteve. Të gjitha këto çështje janë duke u hetuar nga prokuroria. “Dhe ju siguroj që për çdo person që bëhet fjalë, nëse në veprimin e tij ka elemente të veprës penale, prokuroria do të nisë procedurën përkatëse dhe secili do të mbajë përgjegjësi konform ligjit”, tha Ljubomir Joveski, prokuror republikan.

Pronari i “Besa Transit” është në dispozicion të organeve hetuese, pohon Joveski. Bekim Haxhiu tashmë ka dëshmuar në prokurorinë bullgare dhe deri më tani nuk ka elemente të kryerjes së veprës penale kundër tij. Përskaj gabimit njerëzor të shoferit, në Bullgari kontrollohet nëse për aksidentin ka lëshime në rrugën në të cilën lëvizte autobusi, ku sipas ekspertëve bullgarë ka mungesë sinjalistike.

“Pasi të jenë përgatitur të gjitha konkluzionet, nga ekspertiza e kryer dhe varësisht prej tyre, atëherë do ta kemi ndonjë konkluzion, ose për keq-shënjimin e sinjalistikës, siç thuhet, nëse është shkaktar i aksidentit në komunikacion”, u shpreh Biser Mihajlov, zëvendës prokuror publik i qarkut në Pernik.

Edhe pse supozimi fillestar i autoriteteve hetimore bullgare se shkak i aksidentit ishte gabimi njerëzor, megjithatë mbetet çështja se si filloi zjarri – kishte apo jo materiale të ndezshme në automjet.
“Dua t’ju siguroj se të gjitha supozimet, tezat e hapura dhe informacionet që na vijnë na ndihmojnë në hetim, edhe pse nuk tingëllojnë shumë serioze. Edhe Shërbimi zjarrfikësve aktualisht është duke punuar dhe presim që të deklarohen”, tha Mladen Petrov, hetues në Shërbimin Nacional të Hetimit, të Republikës së Bullgarisë.

Prokuroria Republikane sot ua ka dorëzuar kolegëve bullgarë të gjitha provat e mbledhura, që duhet të ndihmojnë hetimin e kryer nga Prokuroria bullgare. Mes tyre janë analizat e ADN-së, nga familjarët e të ndjerëve në aksidentin e autobusit, procesverbali i asaj që kanë thënë tetë dëshmitarët e deritanishëm të marrë në pyetje, si dhe i gjithë dokumentacioni për punën e kompanisë “Besa Trans”, përfshirë rastin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve lidhur me licencën e revokuar të kompanisë.