Prokuroria Speciale gjatë ditës do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, L.D, K.H dhe O.H., për rastin e sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
Kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj tyre do të bëhet në drejtim të veprës penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’.
Këtë informacion e dha zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ekrem Lutfiu.
“Ju njoftoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), gjatë ditës do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave të ndaluar për veprën penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’, nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe 31 të KPRK-së”, tha Lutfiu.
Të dyshuarit për sulm fizik ndaj gazetarit Syla u prangosën mbrëmë.