Prokuroria: Nuk ka akuzë ndaj Ruskovskës

Prokurori kompetent që punon rreth kallëzimit penal që Arafat Muaremi e ngriti kundër prokurores Villma Ruskovska, është duke mbledhur prova. Ish-drejtori i Policisë Financiare vendosi të kërkojë drejtësi përmes gjykatave, pasi kontestoi ligjshmërinë e kontrollit, që prokurorja ka kryer në zyrën e tij. Pikërisht për shkak të këtij kallëzimi, Këshilli i Prokurorëve Publikë dje vendosi që Ruskovska të mbetet e suspenduar, që të mos mund të ndikojë në procedurë. Nga Prokuroria Publike, thonë se për momentin nuk ka vendim lidhur me këtë procedurë për ngritjen e akuzës ndaj Ruskovskës, por sipas përgjigjes së tyre nuk përjashtohet mundësia që së shpejti të thirren për të dhënë deklarata personat e përfshirë në këtë rast.

“Aktualisht po punohet në mbledhjen e dokumentacionit material nga disa institucione kompetente, pas së cilës do të jepen deklarata verbale nga të gjithë personat, që kanë mundur të kenë njohuri të nevojshme për vërtetimin e fakteve. Pas sigurimit dhe analizimit të materialit dëshmues të mbledhur do të merret vendimi i prokurorisë publike”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.

Është pikërisht kjo Prokurori e udhëhequr nga Ljubomir Joveski, e cila gjatë mbikëqyrës së fundit ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë bastisjes në Drejtori. Për këtë arsye, Joveski e suspendoi Ruskovskën, por kundër saj dhe ndaj kolegeve të saj Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, ngriti procedurë disiplinore për gabim të madh profesional, të qëllimshëm dhe të pajustifikuar. Mirëpo jozyrtarisht komisioni pesë anëtarësh disiplinor ende nuk është mbledhur.

“Propozimi për fillimin e procedurës disiplinore në rastin konkret i është dorëzuar komisionit disiplinor, i cili më tej kujdeset për rrjedhën e procedurës”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike. Nëse Komisioni konstaton shkelje të rëndë, për veprën parashikohet shkarkim, ose heqje e një pjese të pagës. /Alsat/