Prokuroria nis hetimet për vdekjen e 15-vjeçares si rast të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor


Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se kanë nisur hetimet lidhur me vdekjen e dyshimtë të së miturës nga Drenasi.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria ka bërë me dije se ky rast po hetohet në drejtim të veprës penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas publikimit në mediat elektronike të rastit për vdekjen e dyshimtë të së miturës nga Drenasi, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë filluar hetimet paraprake hetimore lidhur me zbardhjen e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, nga neni 254 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” ,thuhet në komunikatë.

Ndryshe, vajza 15-vjeçare nga Drenasi Anita Mehmeti ka ndërruar jetë në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve më 14 maj, pas tre ditësh ankesë për dhimbje në bark. Babai i saj Rrahimi, po i akuzon kirurgët dhe mjekët në Klinikën e Pediatrisë që sipas tij nuk e kanë marr parasyshë vajzën.