Pasditen e djeshme, në prezencë të familjarëve, është zhvarrosur trupi i Sevdije Kuklecit nga fshati Llugë e Istogut, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë.
Familjarët e të ndjerës, dyshojnë se ajo nuk ishte e prekur nga ky virus, për këtë arsye kanë kërkuar që trupi i saj të dërgohet për obduksion, shkruan Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria e Pejës ka filluar hetimet ndaj stafit mjekësor të Spitalit Rajonal të Pejës që kishte trajtuar rastin e 39 vjeçares.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili tha se veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë nën dyshimin se është kryer vepër penale “Keqtrajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
“Prokurorja e Shtetit, Valbona Disha-Haxhosaj me vetiniciativë i ka hapur hetimet dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e disa veprimeve hetimore lidhur me rastin në drejtim të veprës penale “Keqtrajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”. Ka pasur raportime të shumëta lidhur me rrethat e vdekjes së viktimës, prandaj prokurorja me vetëiniciativë i ka hapur hetimet”, tha Nikçi për Gazetën Sinjali.
Nikçi shtoi se në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës është lëshuar urdhëresë për ekshumim (zhvarrosje) të trupit të të ndjerës.
Gjatë ekshumimit kanë qenë të pranishëm edhe prokurorja dhe Policia.
“Me urdhëresë të prokurorisë trupi i të ndjerës është dërguar për në obduksion” tha ai.