Prokuroria ngriti aktakuzë kundër dhjetë personave të dyshuar si kontrabandues të automjeteve luksoze

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit përfundoi procedurën për sigurimin e provave dhe ngriti aktakuzë kundër gjithsej dhjetë personave të dyshuar se kanë marrë pjesë në veprime të kontrabandës së automjeteve luksoze, si dhe në falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe të tjera.

Gjatë viteve 2021 dhe 2022, ata, me dokumente të rreme dhe numra të modifikuar të shasisë, kanë futur në vend automjete që ishin objekt kërkimi ndërkombëtar, si dhe automjete për të cilat shmangnin kontrollet doganore në mënyra të tjera.

Dy nga të akuzuarit janë zyrtarë – referentë nga Sektori për Çështje Administrative në MPB, të cilët mundësonin procedurën për regjistrimin e automjeteve në shtet, edhe pse e dinin se ishin të kontrabanduara.
Një pjesë e automjeteve i rishitnin mes vete disa herë për të fshehur kontrabandën, pas së cilës i shisnin te përdoruesit e fundit.

Në këto veprime ishte i përfshirë edhe i dyshuari i 11-të, një shtetas i Republikës së Greqisë, për të cilin ndjekja penale do t’u delegohet organeve greke.
Së bashku me aktakuzën e dorëzuar, prokurori publik kompetent i ka paraqitur Gjykatës një propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit të mëparshëm për katër nga të akuzuarit.

Një person është në kërkim me një fletarrest ndërkombëtar tashmë të shpallur për shkak të përfshirjes së tij në një çështje tjetër të ngjashme me kontrabandën e automjeteve luksoze, e cila është ndjekur nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit.
Për një të akuzuar janë në fuqi masa sigurie.