Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, do të intervistohet nga Prokuroria Speciale për provat që thotë se ka për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit. Ndonëse ftoi konferencë për media që të flasë për provat që ka, ai nuk i prezantoi ato. Derisa shprehu sërish pakënaqësi ndaj partisë që bën pjesë, tha se shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme e ka urdhëruar kryeministri Albin Kurti.
Në të njëjtën kohë kur do të niste seanca, deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, thirri konferencë për media lidhur me një vendim që do të merrej nga kolegët e tij.
Fillimi i konferencës në kohën e paraparë u pamundësua nga zilja që binte për t`i ftuar deputetët në sallën e Kuvendit.
Me t`u ndalur ajo, deputeti Abazi tha se nga kryeministri Albin Kurti, grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka marrë urdhër që ta largojë nga posti i kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme e nga Komisioni për Stabilizim Asociim BE – Kosovë.
Megjithëkëtë, Abazi tha se do të vazhdojë të jetë deputet i Vetëvendosjes.
“Dy vite pas marrjes së mandatit, z. Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria. Unë e përsëris edhe sot që nuk jam votë kundër Qeverisë Kurti dhe nuk do ta bëj Qeverinë Kurti viktimë për t`u larguar”, ka theksuar Abazi.
Largimi nga pozitat që mbante, sipas Abazit, është duke u bërë për shkak të pakënaqësive që ka shprehur.
Abazi akuzoi kryeministrin Albin Kurti e qeverisjen e tij për zhdukjen e mostrave të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Ndonëse tha se ekzistojnë incizime që dëshmojnë se kush ka bërë një veprim të tillë, deputeti Abazi nuk i publikoi ato.
“Vidoincizimet janë ato të cilat ju duhet t`i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari…Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për të sqaruar deri në fund çka ka ndodhur në rastin Dehari. Dhe si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë.. asnjë”, ka deklaruar Abazi.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se deputeti Abazi duhet ta njoftojë e të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale e jo të tentojë të fshihet prapa imunitetit të tij si deputet.
Lidhur me deklaratat e bëra, Prokuroria do ta thërrasë për intervistë deputetin e Vetëvendosjes.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë për KOHËN se provat që ka deputeti Haki Abazi duhet t`i dorëzojë në Prokurori.
“Secili që thotë se ka diçka, do të vijë të deklarojë. Unë nuk di asgjë. Do ta intervistojmë Hakiun. Nëse ai ka prova duhet t’i sjellë te ne. Sigurisht se nuk mund t’i intervistojmë të tjerët pa e intervistuar atë më parë”, ka theksuar Isufaj.
Zëvendësimi i Abazit nga pozitat që ka mbajtur është miratuar pak orë nga konferenca e tij.
Në krye të Komisionit për Punë të Jashtme është emëruar Arbëresha Kryeziu, ndërsa në Komisionin për Stabilizim-Asociim, Abazi është zëvendësuar me Dimal Bashën.