Prokuroria e Tetovës: 30-vjeçari nga Tetova e ka ndjekur ish të dashurën, e ka kërcënuar se do ta vriste dhe kundër vullnetit të saj ka kryer marrëdhënie seksuale


Prokuroria THemelore Publike në Tetovë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një 30-vjeçari për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale sulm seksual dhe dhunim nga neni 186 i Kodit Penal. .

Në afërsi të një pompe karburanti në hyrje të Tetovës, më 30 korrik në mbrëmje, i dyshuari ka sulmuar një grua me të cilën deri vonë kanë qenë në lidhje. Ai e ka ndjekur atë teksa po kthehej nga puna për në shtëpi dhe ka filluar ta tërhiqte zvarrë me forcë. Kundër vullnetit të saj të shprehur qartë dhe me kërcënimin se do të cenonte jetën e saj, e ka detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale.

Meqenëse janë plotësuar bazat ligjore – rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit mbi viktimën dhe përsëritja e veprës penale, prokurori publik i ka paraqitur propozim gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Tetovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.