Prokuroria e Hagës thotë se janë 153 dëshmitarë në rastin Thaçi e të tjerët, kërkon mbrojtjen e tyre

Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë ka filluar konferenca statusore në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Një prokurore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka thënë se për rastin e ish-liderëve të UÇK-së janë intervistuar 153 dëshmitar.

“1842 zëra, një pjesë e tyre është në trajtën e deklaratave, 153 dëshmitarë, disa janë të zbardhura dhe janë të transkriptuara. Ne parashikojmë që të kemi përkthime të plota brenda afatit 30 ditor. Prokuroria kërkon mbrojtje për disa dëshmitarë”, ka thënë ajo.

Prokurorja e siguroi mbrojtjen se materialet lidhur me rastin do të publikohen në afat kohorë prej 30 ditësh.

“Sa i takon afatit kohorë nuk mendoj që ka një dallim në mes të Prokurorisë dhe mbrojtjes. Ne me rregull do ti publikojmë materialet sapo të kemi mundësi që ta bëjmë atë. Ajo çfarë mbetet si një afat kohorë është 3 javë Bëhet fjalë për një volum materialesh”, ka thënë tutje ajo.