Prokuroria e Hagës: 5 mijë euro garanci për lirimin e Gucatit, s’janë të mjaftueshme


Prokuroria e Specializuar e Hagës i është përgjigjur në gjykatë kërkesës së mbrojtjes sëHysni Gucatit për ligjshmërinë e arrestimit të tyre, si dhe kërkesën për lirim. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicollas Guillou që të rrëzojë të katër ankesat e mbrojtjes përmes së cilave kërkohet lirimi i krerëve të OVL UÇK-së.

Një aksion i nisur nga forcat e EULEX-it, bashkë me policinë e Prokurorisë së Specializuar të Hagës në zyret e OVL-UÇK, kishte rezultuar me arrestimin e dy krerëve të kësaj organizate, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Në seancat e para informuese të mbajtura në gjykatë, për arsye të ndryshme, avokatët kishin kërkuar nga gjykatësi lirimin e klientëve të tyre. Madje, në kërkesën që kishte bërë avokati i Gucatit, ishte premtuar se kreu i OVL-së do të jap si premtim që nuk do t’i afrohet në një distancë të përcaktuar kësaj organizate.

Mirëpo këto arsyetime nuk po i bëjnë përshtypje prokurorisë. Në shkresat që i janë dorëzuar gjykatës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmendet se Hysni Gucati kishte marrë pjesë në tri konferenca në të cilat ishin shpërndarë informacione konfidenciale.
“Në të paktën tri raste, Gucati mori pjesë në shpërndarje të paautorizuar të informacioneve konfidenciale dhe jopublike, përfshirë emrat, vendet e banimit, dhe detaje tjera të dëshmitarëve të mundshëm. Z. Gucati gjithashtu deklaroi publikisht se ai do të vazhdonte ta bënte këtë”, thuhet në shkresat që Prokuroria i ka dorëzuar në gjykatë.

Madje, aty thuhet se Gucati ishte urdhëruar nga gjykata që t’i përmbahet këtyre veprimeve, dhe se ishte paralajmëruar se kjo mund të përbëjë vepër penale.
“Shpërndarja e përsëritur e informacionit konfidencial vazhdoi edhe pasi që Gucati ishte shërbyer me një urdhër të gjykatës, në lidhje me zbulimet e mëparshme, i cili specifikisht e urdhëroi atë të përmbahet nga shpërndarja e atyre materialeve, dhe e paralajmëroi atë se mund të shkaktojë vepër penale kriminale”, thuhet në arsyetimin tjetër të Prokurorisë.
Prokuroria tutje thotë se Gucati nuk ishte bindur edhe pas lëshimit të dy urdhërave gjyqësor, dhe se më 22 shtator ai kishte thënë se do të publikojë edhe informacione të tjera nëse merr, gjithnjë sipas prokurorisë: duke nxitur edhe mediat që ta bëjnë një gjë të tillë.

Në të vërtetë, pas lëshimit të dy urdhrave gjyqësorë në lidhje me zbulimet e mëparshme, më 22 Shtator 2020, Z. GUCATI deklaroi publikisht: Ne u thamë […] hetuesve të gjykatës speciale se do të botojmë të gjitha dokumentet që marrim, nëse ato nuk janë të aftë të parandalojnë rrjedhjen [e tyre]. Ne duam t’u themi të vërtetën qytetarëve të Kosovës që kjo gjykatë po përpiqet me të gjitha mjetet të ‘zbërthejë’ UÇK-në, por ata nuk do të kenë sukses. Është e kotë me të gjitha këto falsifikime që ata kanë bërë. Ai më pas inkurajoi mediat të botojnë informacionin konfidencial, duke deklaruar, ‘Ju keni materialin para jush, ashtu si i bëtë publik emrat e veteranëve të rremë, merrni të njëjtën guxim”, thuhet në arsyetimin e prokurorisë që Gucati të vazhdohet të mbahet në paraburgim.

Prokurori i Speciales në arsyetimin e tij thotë tutje se as gatishmëria e Gucatit që të dorëzojë pasaportën nuk kryen punë. Sipas tyre, kjo ndërlidhet vetëm me rrezikshmërinë e fluturimeve në një shtet tjetër, dhe jo me lëvizje tjera që mund të bëhen.
“Kjo nuk e adreson faktin që udhëtimi nga Kosova është legalisht dhe ilegalisht i mundur edhe pa pasaportë, përfshirë shtete të cilat nuk kanë obligim që ta transferojnë Gucatin në Zyret e Specializuara të Prokurorit. Për më tepër shuma e parave e propozuar si garanci nga mbrojtja është e pamjaftueshme për të adresuar rreziqet konkrete të lirimit, sidomos pasë parasysh lejen që ka Gucati në burimet e OVL UÇK-së, e cila supozohet të ketë deri në 40 mjë anëtarë, thuhet tutje aty.

Për më tepër, Specialja ka kundërshtuar edhe provat e ofruara për gjendjen shëndetësore të Gucatit.
“Çështjet shëndetësore të zotit Gucati janë irelevante sipas artikullit 41”, thuhet në fund të arsyetimit të Prokurorisë.
Në këtë formë, Specialja ka kërkuar që Gucati të mbahet në paraburgim dhe procedura të vazhdojë në formën siç është parashikuar.

Ndryshe, prokurorja në rastin e Gucatit, Valeria Bolici, ka thënë se brenda 30 ditësh do ta dorëzojë në gjykatë aktakuzën kundër Gucatit e Haradinajt për veprat penale që atyre u vihen në barrë.
Të dy krerët e OVL UÇK-së, akuzohen për veprat që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, me çështje që kanë të bëjnë me publikimin e dosjeve të cilat kishin rrjedhur nga Specialja.