Prokurori shqiptar që ka fituar 79 mijë euro nga bastet


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti të mërkurën dyshime mbi ekzistencën dhe destinacionin e një shumë prej 75 mijë eurosh, që prokurori i Vlorës, Alfred Sali kishte tërhequr nga banka pas një “jackpot”-i në një faqe bastesh online në vitin 2014.

Trupa e KPK që hetoi Salin e përbërë nga Xhensila Pine, kryesues, Olsi Komici relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare, vuri në dukje se pas hetimeve rezultonte se Sali nuk e kishte deklaruar shumën e fituar si gjendje cash në vitet pasuese. Siç u relatua, Komisioni i kishte kaluar prokurorit barrë prove mbi dyshimet për “deklarim të rremë”, ndërsa përfshirja e tij në baste u cilësua si cënim i integritetit.

Prokurori Alfred Sali e kundërshtoi barrën e provës. Ai i tha KPK-së se kishte sjellë prova të mjaftueshme që tregonin fitimin e shumës dhe pagesën e detyrimeve për të. Sali tha në Komision se mosdeklarimi si gjendje cash ishte një keqkuptim i tij për formën e deklarimit. Ai pretendoi se ky aktivitet nuk ishte në kundërshtim me ligjin dhe as me kodin e etikës, por shtoi në një shkëmbim pyetje- përgjigje me Komicin se nëse kthehej pas në kohë nuk do ta përsëriste. Alfred Sali përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2011, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Barra e provës për Jackpot-in
Relatori Olsi Komici vuri në dukje në seancë dëgjimore se KPK kishte hetuar fitimin e shumës prej 79 mijë eurosh nga prokurori Alfred Sali në një kompani bastesh online. Komici vuri në dukje se shuma ishte depozituar në llogarinë e prokurorit dhe një pjesë e saj 75 mijë euro ishte tërhequr nga banka. Ai po ashtu tha se KPK kishte marrë informacion për shumat e shpenzuara nga prokurori në baste.

Sali e kishte deklaruar fitimin e shumës në prej 79 mijë euro në vitin 2014 dhe po atë vit kishte deklaruar atë pranë tatimeve. Megjithatë KPK vuri në dukej se fillimisht prokurori nuk kishte paguar detyrimet tatimore për shumën në fjalë dhe se këto ishin paguar vetëm pas fillimit të procesit të vetingut.

Sali e kundërshtoi këtë qëndrim të KPK. Ai tha se fillimisht kishte menduar që nuk kishet detyrim për të paguar tatim për shumë në fjalë, por kishte mësuar se duhej të paguante vetëm më vonë dhe pas konsultimit me rregullat e faqes ku kishte luajtur.

Por përveç tatimit të paguar me vonesë Salit iu vu në dukje edhe mosdeklarimi i shumës në fjalë si gjendje cash në deklaratat periodike pas asaj të vitit 2014. Sipas Komicit mosdeklarimi i gjendjes cash në vitet pasardhëse ngrinte dyshime mbi destinacionin e shumës në fjalë. Po ashtu Komici vuri në dukje se nga ky mosdeklarim Sali rezultonte me mungesë burimesh për një hua dhënë babait në shumën 58 mijë euro dhe se ndaj tij ngriheshin dyshime për deklarim të rremë në deklaratën veting.

Komici tha se ekzistenca e shumës në cash vihej në dyshim edhe nga fakti që prokurori nuk e kishte përdorur atë për të shlyer një kredi konsumatore që kishte në bankë dhe se edhe pas fitimit kishte marrë një kredi të re të kësaj natyre. Edhe gjatë pyetjeve Komici i kërkoi Salit të shpjegonte këto veprime.

Prokurori këmbënguli se shuma ishte fituar. Duke referuar shkëmbimet e e-mailave me kompaninë e basteve dhe lëvizjet në banke dhe prova të tjera, ai pretendoi se kishte dëshmuar fitimin e parave. Por Sali pranoi se mosdeklarimi i gjendjes cash kishte ndodhur. Ai i tha Komisionit se ky ishte një keqkuptim i tij sa i përket ligjit për deklarimin e pasurive. Megjithatë Sali tha se pasaktësitë në deklarime nuk duhej ta penalizonin.

Ai po ashtu pretendoi se paratë nuk ishin përdorur për shpenzime jetese apo për kreditë, pasi me bashkëshorten kishin rënë dakord ta ruanin shumën të paprekur, për një investim të ardhshëm. “E kuptoj që nuk ka logjikë ekonomike, por në atë kohë ashtu e menduam”, tha Sali.

Prokurori megjithatë këmbënguli, duke iu referuar edhe vendimeve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe kodit të etikës, se ai nuk kishte cënuar etikën dhe as kishte cënuar besimin e publikut. Ai tha se ky aktivitet kishte qenë privat dhe kishte ndodhur në një moment të vështirë të jetës së tij, pas një aksidenti dhe pas shkarkimit nga puna të bashkëshortes.

“Nëse do kthehesha pas në kohë nuk do e përsërisja”, tha Sali, i cili tha se ndjehej i keqardhur që karriera e tij do të shihej bazuar në këtë ndodhi. Prokurorit iu kërkuan po ashtu shpjegime në lidhe me një makinë të vlerë më lirë se sa shitësi e kishte marrë disa muaj më herët. Sali tha se grupi i punës i KPK që kishte bërë hetimin nuk kishte marrë në tërësi transaksionet për këtë mjet. Ai tha se makina ishte shitur disa herë në vite të ndryshme dhe se çmimi kishte ardhur në rënie për shkak të defekteve në sistemin elektronik të saj.

Sali tha se defektet në makinë kishin sjellë edhe aksidentin, ndërsa i tha KPK-së se mjeti ishte fikur në rrugë. Sali pretendoi harresën në mosdeklarimin e pakësimit të një llogarie bankare të bashkëshortes. Ai i tha Komisionit se lëvizjet kishin ndodhu në llogari dhe se ajo ishte e deklaruar nga bashkëshortja më herët.

Prokurori po ashtu dha shpjegime të detajuara në lidhje me një dosje që ai kishte në hetim dhe për të cilën iu kërkuan shpjegime. Komici tha në referim se vonesa e shpalljes së moskopetencës për një pjesë të hetimeve që duhej të kryeheshin nga prokuroria e Tiranës, ndarja e dosjes dhe veprime të tjera të prokurorit krijonin dyshime se mund të ishin favorizuar të akuzuarit.

Por Sali tha se hetimi në fjalë, i cili përfshinte të akuzuar për vrasje, për dhënie ndihme në kryerje krimi dhe moskallëzim krimi, ishte një nga më të plotët e bërë nga prokuroria e Vlorës. Ai kundërshtoi dyshimet se të pandehurit mund të përfitonin dhe shtoi se për ta kishte kërkuar dënime që ishin mbi mesataren e dënimeve të dhëna për ato vepra penale.

Sali tha se vonesat e referuara kishin ardhur nga kompleksiteti i çështjes dhe nevojës për të hetuar në disa vende, përfshi Turqinë dhe Italinë. Sipas tij shpallja e moskopetencës ishte ndikuar nga përgjigjet e vonuara të letërporosive nga Turqia. Sali megjithatë tha se këto nuk e kishin dëmtuar hetimin e zhvendosur më pas në Tiranë, ku sipas tij ishte lexuar tashmë pretenca dhe ishte kërkuar dënim për të akuzuarit. Në fund të seancës Sali tha se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret dhe kërkoi konfirmim në detyrë. Seanca e njoftimit të vendimit u caktua më 22 korrik në orën 9.30.