Prokurori që arrestoi deputetët kosovarë: Rexhep Maqedoncin nuk mund ta frikësoni!


Kush mund t’ia dijë vlerën lirisë më shumë sesa prokurori, Rexhep Maqedonci. 12 vjet të jetës së tij i ka kaluar në burgjet e Jugosllavisë për shkak të bindjeve politike. Duke ia ditur vlerën lirisë, ai nuk ua kufizon atë të tjerëve për shkak të bindjeve të tyre politike. Ai thjeshtë arreston kriminelë llojesh e profilesh të ndryshme. Ai, guxoi t’i arrestojë Milaim Zekën, e Shkumbin Demalijajn, dy deputetët që kërcënuan kolegët e tij.

Secili që ka dhënë betimin kur ka pranuar të bëhet prokuror, besoj i ka pasur parasysh: se mund të shahet, fyhet, linçohet e kërcënohet.

Besoj se e ka pasur parasysh se këto kërcënime e linçime mund t’u vijën nga njerëz të “fuqishëm” dhe me ndikim siç janë deputetët, Milaim Zeka e Shkumbin Demalijaj.

Të dy këta deputetë që tashmë po “dergjen kazamateve të pushtetit”, ani se të dy janë përfaqësues të partive në pushtet, kanë bërë atë që më së miri dinë ta bëjnë: kërcënimin dhe linçimin.

Në këtë situatë nuk ke se si të mos vësh në pah punën dhe veprimet e dy prokurorëve, Afrim Shefkiu dhe Rexhem Maqedonci si dhe ish-prokurorin, Elez Blakaj.

Prej shumë vjetësh, deputeti Milaim Zeka, frikëson njerëz duke u thënë se “ka fakte” për ta se janë bashkëpunëtor të UDB-së, dhe të korruptuar. Mbi këtë praktikë të funksionimit, ai shumë shpejt u ngjit në majat më të larta të shoqërisë, si “luftues i krimit”.

“A e nive Milaimin çka po fol”? kanë pyetur shume njerëz gjatë këtyre viteve.

“Shumë i guximshëm”, cilësohej ai.

Njerëzit që e dëgjonin ngado që fliste përfshirë foltoren e Kuvendit, nuk e njihnin Milaim Zekën e vërtetë.

Ky i vërteti u zbulua vitin e kaluar kur disa të rinj të mashtruar prej tij kishin ardhur në redaksinë e “Insajderit” për të treguar se janë viktima të një mashtrimi të madh të tij me viza pune në Gjermani.

Ato ditë Milaim Zeka u zbulua krejtësisht, ani se ai kishte “fakte” edhe për autorin e hulumtimit të mashtrimeve me viza, që rezultoi me nisje hetimesh dhe ngritje të aktakuzës për tri vepra penale: mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi.

Zeka i zbuloi “faktet” për autorin e hulumtimit ngado që mundi, me qëllim që ta frikësonte siç i kishte frikësuar secilin që ka guxuar të merret me të. Faktet që prezantoi, nuk ishin gjë tjetër pos pallavra të krijuara nga imagjinata e një njeriu me paranoja që incizon vetveten 24 orë në ditë.

Milaim Zeka i vërtetë tashmë ndodhet në paraburgim, pasi provoi ta frikësojë prokurorin, Afrim Shefkiu që i ngriti aktakuzën. Për një moment ai harroi që ka prokuror si Rexhep Maqedonci, që nuk ia ka frikën “fakteve të tij”.

Për një moment harroi se brenda sistemit prokurorial ka prokuror që nuk mund të quhen UDBASH, sepse vetë Maqedonci ishte i dënuar politik, vuajtës burgu në kohëzgjatje prej 12 vjetësh.

Maqedonci, nuk ishte i burgosur politik i privilegjuar. Se nuk e kishte pasur fatin që pas lirimit nga burgu të bëhej punëtor i kompanisë shtetërore jugosllave të fluturimeve, JAT.

Maqedonci, pas daljes nga burgu kishte zgjedhur krahun e atyre që luftojnë krimin dhe nuk janë pjesë e krimit. Ai kreu punën e tij të garantuar me ligj dhe kushtetutë duke i dalë në mbrojtje kolegut të tij të kërcënuar, Afrim Shefkiu.

Maqedonci, bëri atë që do të duhej ta bënte secili prokuror – arrestimin e sulmuesve dhe kërcënuesve kushdo qofshin ata.

Ky prokuror, njëri ndër më të moshuarit brenda sistemit prokurorial me punën e tij të guximshme rrezoi edhe një argument fals të theksuara javëve të fundit, se prokurorët nuk guxojnë të kryejnë punën e tyre për shkak të kërcënimeve.

“Tuta ilaç nuk ka”. Rrjedhimisht profesioni i prokurorit nuk është për frikacakë.

Maqedonci, arrestoi kërcënuesin e ish-kolegut të tij, Elez Blakaj, i cili shkoi në Amerikë për shkak të kërcënimeve, siç tha ai. Blakaj, pas ngritjes së aktakuzës “Veterani” pos që u sha e u fye nga shumë njerëz të prekur nga puna e tij, u kërcënua direkt nga deputeti i akuzuar për dallavere me lista të veteranëve, Shkumbin Demalijaj.

Si rezultat, përfundoi prapa grilave për t’i bërë shoqëri kolegut të tij Milaim Zeka.

Nuk jam i prirë të kapëm pas heronjsh të cilët nuk bëjnë ndonjë heroizëm kur bëjnë punën e tyre. Aq më pak të kapem për heronjsh që për shkak të presionit e kërcënimeve heqin dorë nga puna e tyre. Të tillë ka shumë. Si Maqedonci ka pak.

Në këtë situatë, nëse sot dikush do të cilësohej hero, ai është Rexhepn Maqedonci i cili arreston deputetët kërcënues të prokurorëve, Afrim Shefkiu dhe Elez Blakaj.

Fatmirësisht sot jetojmë në një kohë tjetër. Bandat që dikur fusnin njerëz në bagazh veturash dhe i zhdukshin fare nga faqja e dheut, tashmë janë më të dobët, të frikësuar nga fakti se ka njerëz që i nxjerrin lakuriq para popullit dhe i nxjerrin para drejtësisë.

Ani se janë arrestuar dy kërcënues prokurorësh, sulmet verbale mbi prokurorë dhe gjyqësor veç janë rritur pas arrestimit të tyre. Çuditërisht, askush nuk po del në mbrojtje të prokurorit Maqedonci, i cili zgjodhi ta kryej punën e tij dhe të jetojë në Kosovë.

Maqedonci, tashmë po cilësohet pjesë e aparatit shtetëror që arreston deputetë për shkak të “fjalës së lirë”./Pacensure