Projekti 13 miliardë dollarësh i Turqisë që lidh Detin e Zi dhe atë të Marmarasë

Në perëndim të Stambollit, mes Detit të Zi dhe Detit Marmara, shtrihen peizazhe të larmishme pyjesh, fermash, kënetash dhe vendbanimesh antike.

Por kjo zonë është më shumë nga sa sheh syri: ajo është rruga e Kanal İstanbul, një mega projekt infrastrukture me një kosto prej $ 12.6 miliardë dollarësh, të cilin presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ka përshkruar si “planin e tij të çmendur” kur e paraqiti fillimisht idenë në 2011-tën.

Kanal İstanbul, i aprovuar nga ministria e mjedisit muajin e kaluar, do të jetë një kanal transporti 45 km që do të bashkojë Detin e Zi me atë të Marmarasë, duke ecur paralelisht me ngushticën e Bosforit, e cila tashmë kalon nëpër qendrën e Stambollit.

Qeveria thotë se kanali është i nevojshëm për të zvogëluar trafikun ujor në qytet.

Por kritikët-përfshirë dhe kryebashkiakun e Stambollit- paralajmërojnë se nisma do të ketë një kosto të madhe mjedisore, e flasin për shkatërrimin e mundshëm ekologjik të Detit Marmara.

Ekziston një ekuilibër delikat mjedisor mes këtij deti dhe atij të Zi, që lidhen aktualisht nga ngushtica e Bosforit.

“Niveli i kripës së Detit të Zi është më i ulët se ai i Marmarasë, dhe përmbajtja organike e tij, shumë më e madhe”, thotë Cevahir Efe Akçelik, sekretar i Unionit të Dhomave të Inxhinierëve dhe Arkitektëve Turkë në Stamboll.

Për shkak se Deti i Zi është 50 cm më i lartë se ai i Marmarasë, si niveli ashtu edhe dendësia e kripës do të ndryshonin tek ky i fundit nëse të dy do të lidheshin me kanalin që synon Erdogani.

Jo vetëm kaq, por edhe fluksi i organizmave qelizorë në Marmara do të konsumonte oksigjen shtesë; kjo do të bënte që bakteret dhe organizmat e tjerë të krijonin një gaz sulfurik, e në qytet do të përhapej një erë e ngjashme me atë të vezëve të prishura.

Disa druhen se kjo mund ta fshijë plotësisht jetën në Marmara. Projekti u paraqit disa kohë më parë për konsultime publike e mijëra vetë firmosën një peticion kundër tij, megjithatë në muajin janar, ministri turke e mjedisit e aprovoi gjithsesi.