Projeksionet për rritjen ekonomike, jo të mira


Ekonomia do të rritet me 3.9 për qind këtë vit, parashikon Banka Popullore. Rritja është solide, por situata nuk do të kthehet si para pandemisë, thotë Guvernatorja Anita Angelovska Bezhoska. Për këtë duhet shumë punë. Vitin e ardhshëm, rritja e Prodhimit Bruto Vendor do të mund të kalojë katër për qind. Kërkesa e brendshme dhe konsumi personal sipas analizës së bankës qendrore do të jenë faktorët kryesorë të rritjes ekonomike.

Brenda kërkesës së brendshme, kontribut më i madh pozitiv parashikohet nga investimet, të cilat pas rënies së lartë prej 10 për qind vitin e kaluar pritet të rriten mesatarisht këtë vit dhe vitin e ardhshëm me rreth 9.4 për qind. Ky do të jetë rezultat i rritjes së pritshme të investimeve të huaja direkte dhe intensifikimit të investimeve të brendshme dhe private në një mjedis më të qëndrueshëm të mbështetjes së mëtejshme të kredisë.”

Nga Banka Popullore presin ngushtimin e deficitit dhe për këtë vit e projektuan në nivelin prej 2.9%, që deri në vitin 2023 të ulet në 2.1%. Me politikën ekspansive fiskale vitin e kaluar deficiti është rritur në mënyrë drastike mbi 8%, dhe me këtë e pashmangshme ishte edhe rritja e borxhit publik, thotë guvernatorja. Borxhi publik u rrit për 10% dhe arriti 62.5% të Prodhimit Bruto Vendor.

Si do lëviz borxhi publik në afat të mesëm Bezhovska thotë se varet nga konsolidimi fiskal i vendit. Vitin e kaluar ekonomia e Maqedonisë shënoi rënie prej 4.5%. Në nivel global, këtë vit sipas projektimeve të FMN-së ekonomia do rritet për 6%. Imunizimi dhe rimëkëmbja më e shpejtë sesa pritej të ekonomive më të fuqishme botërore i rritën shpresat e monetarëve se kjo krizë megjithatë do të jetë me efekte më të vogla se ajo e vitit 2008.