Profesori serb: Kosova do të jetë e pavarur pas një viti

Ognjen Radonjiq, profesor i Fakultetit Filozofik në Beograd, vlerëson se nëse marrëveshja nga Washingtoni është ligjërisht e detyrueshme, pavarësia e Kosovës do të hyjë në fuqi saktësisht pas një viti.
Në një tekst autorial për portalin Pescanik, Radonjiq pyet nëse “suita” serbe e dinte atë që po nënshkruante në Shtëpinë e Bardhë apo thjesht nuk kishte ndjenjë për finesa në gjuhën angleze dhe për “dinakërinë” diplomatike amerikane.

Ai analizoi pikën e parafundit të dokumentit të Washingtonit në lidhje me moratoriumin mbi aktivitetet politike të të dyja palëve:
„Kosovo (Pristina) will agree to implement a one-year moratorium seeking new membership into International Organizations. Serbia (Belgrade) will agree to a one-year moratorium of its de-recognition campaign, and will refrain from formally or informally requesting any nation or International Organization not to recognize Kosovo (Pristina) as an independent state. Both agreements to desist will take effect immediately“, që në përkthim do të thotë:

“Kosova (Prishtina) do të pranojë të zbatojë një moratorium njëvjeçar me të cilin kërkon anëtarësim të ri në organizatat ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet me një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e çnjohjes dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose joformale nga cilido qoftë komb ose organizatë ndërkombëtare për të mos njohur Kosovën (Prishtinën) si një shtet i pavarur. Të dy marrëveshjet e ndërprerjes hyjnë në fuqi menjëherë”.

“Në marrëveshje, në fjalinë e cila ka të bëjë me Serbinë, moratoriumi njëvjeçar i referohet ekskluzivisht veprimit të çnjohjes së Kosovës, sepse pasohet nga një presje dhe një fjali krejtësisht e pavarur, me të cilën nuk ka të bëjë moratoriumi njëvjeçar. Serbia, pra, u pajtua që duke filluar më 4 shtator 2020 e mëtutje nuk do të pengojë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e kombeve tjera dhe anëtarësimin e tij në organizatat ndërkombëtare”, thotë profesori.

Sipas tij, ajo që pengon që procesi i legjitimimit të Kosovës si shtet i pavarur në Kombet e Bashkuara tashmë të fillojë është moratoriumi njëvjeçar, ndaj të cilit Kosova është zotuar.
“In medias res – presja e vendosi Po të mos ishte ajo, afati kohor do t’i referohej pjesës së dytë të fjalisë. Përsëri, nëse pas presjes dhe foljes të përmbahen (refrain) do të ishte precizuar afati kohor prej një viti (will refrain for a year apo një formulim i ngjashëm), atëherë kjo e përmbajtur do të ishte e kufizuar në kohë. Kështu, shkruesit e marrëveshjes, në një mënyrë shumë diskrete dhe të sofistikuar, e afatizuan kundërshtimin tonë. Me fjalë të tjera, nuk është më e nevojshme që Serbia ta njohë Kosovën, sepse ajo do të legjitimohet përmes pranimit në Kombet e Bashkuara, gjë që ne nuk do ta kontestojmë, “tha Radonjiq